Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, kanë nënshkruar pesë marrëveshje gjatë takimit të sotëm në Pallatin Presidencial “Dolmabahçe” në Stamboll, mes tyre edhe një marrëveshje për mbrojtje të ndërsjellë.
Erdogan theksoi se marrëveshja për mbrojtje të ndërsjellë do t’u japë një dimension të ri marrëdhënieve vëllazërore mes Ankarasë dhe Dohas. Ai gjithashtu vlerësoi se Marrëveshja për Partneritet Tregtar dhe Ekonomik, e cila hyri në fuqi vitin e kaluar, po i afron të dyja vendet drejt objektivit për rritjen e tregtisë dypalëshe.
Kreu i shtetit turk theksoi se Turqia po punon për zhvillimin dhe diversifikimin e partneritetit energjetik me Katarin, ndërsa bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes pritet të vazhdojë të zgjerohet.
Erdogan bëri të ditur se Ankaraja dhe Doha do të vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta për të parandaluar shpërthimin e një lufte të re në rajonin e Gjirit Persik, duke u angazhuar për dialog dhe vendosjen e paqes.
Gjatë takimit u diskutua edhe për sulmet izraelite në Rripin e Gazës dhe situatën humanitare në rajon, hapat për normalizimin e gjendjes në Siri, si dhe zhvillimet e fundit në Libi.
