Von der Leyen paralajmëron paketën e 22-të të sanksioneve ndaj Rusisë

TË FUNDIT

Bashkimi Evropian po përgatit paketën e 22-të të sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa paralelisht po harton një plan të ri financiar për të garantuar mbështetjen ndaj Ukrainës gjatë vitit 2027.

Lajmi është bërë i ditur nga agjencia “Reuters”, duke iu referuar deklaratës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila foli në Dublin, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian.

Von der Leyen njoftoi se të dyja nismat pritet të prezantohen para takimit të radhës të Këshillit Evropian, më 26 dhe 27 nëntor. Ajo theksoi se BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën, pavarësisht zhvillimeve në frontin e luftës apo negociatave për një marrëveshje paqeje.

“Ne do ta mbështesim Ukrainën, si në kohë lufte, ashtu edhe në kohë paqeje”, deklaroi Von der Leyen.

Sanksione për bankat, kriptovalutat dhe sportistët rusë

Paketa e re e sanksioneve mund të përfshijë masa ndaj sektorit bankar rus, tregut të kriptomonedhave dhe platformave të tregtimit të tyre. Sipas burimeve diplomatike të cituara nga “Reuters”, në fokus do të jetë edhe parandalimi i shmangies së sanksioneve përmes kompanive dhe vendeve të treta.

Në shqyrtim është edhe mundësia e kufizimit të pjesëmarrjes së sportistëve rusë dhe bjellorusë në garat ndërkombëtare që organizohen në territorin e BE-së.

Kryediplomatja evropiane, Kaja Kallas, ka shprehur mbështetje për këtë propozim, duke vlerësuar se pjesëmarrja e sportistëve rusë në ngjarje të rëndësishme sportive i ndihmon Moskës të krijojë imazhin e një vendi të pranuar ndërkombëtarisht.

Gjithashtu, po shqyrtohen kufizime të mundshme për dhënien e vizave për shtetasit rusë që kanë marrë pjesë në luftë. Megjithatë, ende nuk është marrë vendim nëse këto masa do të përfshihen në paketën përfundimtare.

500 gjeneratorë për Ukrainën para dimrit

Përveç sanksioneve ndaj Moskës, BE-ja po përgatit edhe ndihma konkrete për Ukrainën, e cila po përballet me dëme të konsiderueshme në infrastrukturën energjetike si pasojë e sulmeve ruse.

Pas takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Dublin, Von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, njoftuan se Ukrainës do t’i vihen në dispozicion 500 gjeneratorë nga rezervat strategjike evropiane të emergjencës, të njohura si “rescEU”.

Gjeneratorët do të përdoren për të siguruar furnizimin me energji elektrike dhe për të krijuar pika mbështetjeje për qytetarët në zonat e prekura nga ndërprerjet e energjisë.

Ndihma evropiane përfshin gjithashtu dërgimin e katër urave të lëvizshme nga Norvegjia dhe 200 autobusëve për nevojat e Ukrainës.

Në deklaratën e përbashkët, dy zyrtarët evropianë riafirmuan vazhdimin e mbështetjes financiare dhe ushtarake për Kievin, si dhe angazhimin për rindërtimin e vendit dhe avancimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Sipas tyre, Ukraina duhet të jetë në pozitë sa më të favorshme përpara një marrëveshjeje të mundshme paqeje, ndërsa Rusia duhet të tregojë vullnet real për negociata dhe të angazhohet për një paqe të drejtë dhe afatgjatë.