Para selisë së Bashkimit Demokratik për Integrim në Shkup sot kanë folur anëtarë dhe kandidatë të integristëve për deputetë, të cilët treguan se pse e mbështesin idenë e BDI-së për Kryeministër shqiptar.
Seat Zejnel, mjek specialist internist, me përkatësi etnike turke, tha se nga profesioni i tij e ka kuptuar se njerëzit janë të barabartë para sëmundjeve dhe se rruga drejt shëndetit e mirëqenies është e njëjtë, por në shoqëri, veçantërisht në politikë, nuk është gjithmonë kështu.
“Nëse vërtetë duam një demokraci funksionale multietnike atëherë duhet të punojmë vazhdimisht për të promovuar të drejtat e bashkësive etnike joshumicë. Platforma për kryeministrin e parë shqiptar nuk është përfitim vetëm për shqiptarët por një sinjal i qartë për të gjitha komunitetet etnike se në këtë vend ka hapësirë për të gjithë. Inkurajim për të gjithë anëtarët e rinj dhe komunitetin etnik turk por edhe për të gjitha komunitetet joshumicë se të gjithë kanë mundësi të barabartë për të garuar për çdo pozicion në shoqëri, si në shëndetësi, biznes por edhe në politikë” tha Zejnel duke i ftuar të bashkangjiten me idenë e BDI-së të gjithë ata që besojnë në shoqëri multietnike. Më pas ai foli edhe në gjuhën maqedonase si dhe në gjuhën turke. Zejnel është bartës liste i BDI-së në njësinë 4.
Pas tij foli Meri Nikollova-Buxhaku, kandidate e BDI-së për deputete në njësinë numër 3. Ajo tha se si aktiviste është përpjekur të ulë dallimet në shoqëri, për të ndrequr padrejtësitë dhe për një shoqëri ku gjithkush do ketë mundësinë për të garuar për sukses. Idenë për kryeministër shqiptar tha se e sheh si përparim në marrëdhëniet mes bashkësive në vend dhe përforcim të shoqërisë multientike.
“Idenë për kryeministër shqiptar e shoh si platformë që do t’i rrënojë stereotipat politike në vend për atë se kujt e çfarë roli i takon në shoqëri. Unë fuqishëm qëndroj në këtë ide dhe konsideroj se kryeministri i parë shqiptar do të thotë motivim dhe inkurajim i të gjithë qytetarëve që të ardhmen tonë ta planifikojmë këtu në shtet, por edhe më tepër do të thotë përforcim i besimit tonë dhe ndjenjës autentike për kontribut ndaj këtij shteti” tha Nikollova-Buxhaku.
Po ashtu foli edhe Ismail Jaoski, kryetar i Pllasnicës, të cilën e quajti komunë shembull për shoqërinë multietnike në vend. Tregoi se me përkatësi etnike shumica janë turq, por të gjithë e flasin gjuhën maqedonase. Arritjen e të drejtave kolektive, tha Jaoski, gjithnë e kemi parë si përparim të përgjithshëm të të drejtave të bashkësive joshumicë në Maqedoni.
“Platformën për kryeministrin e parë shqiptar e shohim si pozitive sepse përmes saj do të inkurajohen të gjithë qytetarët e vendit, se gjithkush ka shanse të barabarta se mund ta kërkojë fatin e tij në këtë shtet” tha Kryetari i Pllasnicës.
Pas tij foli Rafet Muminoviq i cili tregoi se i përket bashkësisë boshnjake në Maqedoninë e Veriut. Tha se për të qenë të sinqertë, të gjitha bashkësitë më të vogla etnike në vend nuk do të kishin mundur të arrinin disa të drejta po të mos kishte qenë fuqia kolektive të cilën e realizojnë bashkë me shqiptarët e Maqedonisë./TV21
