“Ti mbrëmë i hodhe me papërgjegjësi, dikush sot duhet ta pastrojë” apo “Një patriot i vërtetë nuk sillet kësisoj me qytetin ku jeton! Dyfish gabim t’i bëhet avokatia këtij gjesti”. Fjali të këtilla, të shoqëruara me foto të mbeturinave të hedhura jashtë koshit ose orendi shtëpiake, shihen në postimin në Faceboook që ka bërë kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, e që ka ngjallur reagime të shumta të qytetarëve dhe aktivistëve. Të pyetur se si mund të akuzohen qytetarëve kur komuna nuk ka një deponi për mbeturina të forta, nga komuna e Tetovës thonë se qëllimi është sensibilizimi dhe jo ofendimi.
“Postimi në Facebook nuk është për të sulmuar të gjithë qytetarët dhe nuk ka për qëllim të ofendojë askënd, përkundrazi është një mesazh që thotë se nëse të gjithë ne qëndrojmë për një qytet më të pastër me forca të përbashkëta, nga njëra anë qytetarët, nga ana tjetër ne si komunë mund ta arrijmë atë qëllim, ndoshta jo deri në çrrënjosjen e plotë, duke qenë se problemi është në nivel global, por për ta përmirësuar kuptohet se mundet”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Shoqatat që merren me mjedisin vlerësojnë se komuna e Tetovës ka dështuar në ekologji, ndërsa para se të kërkojnë përgjegjësi nga qytetarët, duhet që të kryejnë obligimet e veta ligjore.
“Në mungesë të zgjidhjes sistematike defokusohet problemi dhe fillojnë me akuza, në fakt neve nuk na duhet arsyeja por rezultati, jemi të ngopur me akuza në mënyrë permanente që vijnë për qytetarët dhe neve si qytetarë na duhet zgjidhje dhe kur do na ofrojmë zgjidhje atëherë do ta diskutojmë, qoftë edhe e vërtetë se qytetarët hedhin, është obligim i institucioneve relevante që të gjejnë zgjidhje për këtë problem që kemi vite me radhë”, deklaroi Elmedina Abdullai nga Lëvizja “Nëna dhe fëmija”.
Edhe përkundër aksionit të komunës, Tetova vazhdon të jetë e mbushur me mbeturina. Në shumë pjesë të qytetit, koshat janë të mbushur dhe po krijohen mini deponi, sepse NPK Tetova nuk i pastrojn koshat çdo ditë. Për gjendjen këtë javë më parë reagoi edhe opozitarja Aleanca Për Shqiptarët, ndërsa komuna shpjegon se ardhja e mërgimtarëve rrit edhe sasinë e mbetjeve.
“Nëse në një pjesë normale të vitit NPK mbledh 90 tonë mbeturina, në këtë periudhë janë mbledhur 200 tonë mbeturina në bazë ditore, gjë që natyrisht kërkon angazhim të shtuar në drejtim të grumbullimit të mbeturinave”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Nga komuna zotohen se gjatë shtatorit Ndërmarrja Publike Komunale do të furnizohet edhe me katër kamionë të rinj, dy makina për fshirjen e rrugëve si dhe 330 kontejnerë.
