Është e papranueshme që administrata e Qytetit për disa komuna të jetë nënë, e për disa njerkë. Për komunën më të pasur – Qendër, ka ndarë 177 milionë, kurse për më të varfrën – Shuto Orizare 0 denarë. Me këtë reagim, pas seancës së djeshme të 63-të të Këshillit të Qytetit të Shkupit, doli këshilltari Erxhan Selimi, i cili për shkak të sjelljes së padrejtë të Qytetit, tha se nuk do të marrë pjesë më në punën dhe votimin kur bëhet fjalë për bashkëpunim ndërkomunal.
“Unë personalisht kam dhënë iniciativa përmes amendamenteve në seancë dhe në pyetjet e këshilltarëve që të realizohet bashkëpunim ndërkomunal me Komunën Shuto Orizar, por më besoni se asnjë iniciativë që e ngrita nuk ishte pranuar. Përgjigjja e Qytetit të Shkupit ishte se Komuna e Shuto Orizarit nuk ka shfaqur interes për bashkëpunim ndërkomunal, respektivisht nuk ka dhënë asnjë iniciativë”, deklaroi Erxhan Selimi – Këshilltar në Qytetin e Shkupit.
TV21 kontaktoi Qytetin e Shkupit, i cili i hedh poshtë akuzat e anëtarit të Këshillit, duke thënë se janë të pavërteta, të pabaza dhe se japin pasqyrë joreale për aktivitetet dhe investimet e Qytetit të Shkupit dhe Ndërmarrjeve Publike të Qytetit.
“Qyteti i Shkupit brenda dy viteve të kaluara, në dy faza tërësisht e rindërtoi rrugën kryesore në Komunën Indira Gandi. Çdo vit bëhet rikonstruim i shumë rrugëve që janë nën kompetencat e komunës, proces i cili e realizon NP “Rrugë dhe rrugica”. Qyteti i Shkupit punon në ndërtimin e bulevardit të ri “Bosnjë dhe Hercegovinë”. Vazhdojnë aktivitetet për përmirësim të rrjetit të ujësjellësit dhe të kanalizimit në komunë, kurse tashmë janë nisur edhe aktivitetet në terren për pastrim të tërësishëm të deponisë së madhe e cila ndodhet mes Shuto Orizarit dhe Vizbegut. Qyteti i Shkupit dhe NP “Parqe dhe Gjelbërime”, gjatë dy viteve të fundit zbatoi numër të madh aksionesh për mbjellje të fidanëve të cilësisë së lartë, drunjve dhe luleve. Qyteti i Shkupit investoi në më shumë rindërtime dhe punon në “Shaip Jusuf”, e cila është e vetmja shkollë e mesme në territorin e komunës së Shuto Orizarit”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Nga Qyteti i Shkupit shtojnë se në disa vitet e fundit janë investuar mbi 6.5 milionë denarë në rikonstruim, rregullim të mjedisit dhe asfaltim të fushës sportive.
