Komuna e Tetovës e bllokuar nga përmbaruesit, borxhi i përgjithshëm ka arritur në 24 milionë euro

TË FUNDIT

24 milionë euro është borxhi i përgjithshëm i komunës së Tetovës, informoi kreu i kësaj komune Bilall Kasami Ai thotë se ky borxh ka tejkaluar pritshmëritë e tij.

 “Ky është borxhi total ku 17.3 milionë janë  ndaj sektorit privat dhe 6.7 milionë janë ndaj sektorit publik. Borxhi i komunës, pra si administratë është 14 milionë euro, borxhi i ndërmarrjes publike komunale është 9.7 milionë euro,  borxhi i ndërmarrjes së parkingjeve është 187 mijë euro borxhi i shkollave është 77 mije euro”, tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Kasami thotë se komuna e Tetovës për momentin është e bllokuar nga më shumë se 430 përmbarues dhe se gjëja e vetme që mund të paguhet tani për tani janë rrogat e të punësuarve.

“Për momentin për informim komuna e Tetovës është e bllokuar. Ka mbi 430 vendime  të përmbaruesve  të cilët i kanë dorëzuar në trezor edhe  për momentin ne nuk disponojmë me llogarinë e komunës”, shtoi Kasami.

Kasami paralajmëroi se janë në përpilim të planit për zgjidhjen e problemit me borxhin. Fillimisht do të bëjë  riprogramim për ta zhbllokuar llogarinë e komunës me qëllim që nga janari të nisë planin e implementimit të të gjitha kërkesave të cilat i ka premtuar. Borxhi i komunës së Tetovës do të qëndrojë në sheshin “Iliria” përmes një monitori dhe i njëjti do jetë në formë të detajuar edhe në uebfaqe.