Këshilltarët e BDI-së në Komunën e Çairit kërkuan shpalljen urgjente të një thirrjeje publike për evidentimin dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut. Ata kërkojnë që komisioni për vlerësimin e dëmeve të nisë menjëherë punën në terren dhe qytetarët të dëmshpërblehen pa vonesa. BDI gjithashtu kërkon përgjegjësi institucionale për siç thonë, gjendjen e krijuar, duke ngritur pyetje mbi mungesën e infrastrukturës për mbrojtje nga vërshimet.
“Në seancën e djeshme të Këshillit të Komunës së Çairit, ne, këshilltarët e BDI-së, kërkuam nga Komuna që menjëherë të shpallë thirrje publike për evidentimin dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e fundit. Qytetarët e Çairit nuk kanë nevojë për justifikime. Ata kanë nevojë për veprim. Dhjetëra familje dhe biznese kanë pësuar dëme serioze, ndërsa institucionet ende nuk kanë dalë me një plan të qartë se si do të trajtohen këto pasoja. Prandaj, kërkuam që Komisioni për vlerësimin e dëmeve të fillojë menjëherë punën në terren, të evidentojë çdo dëm dhe të përfundojë procedurat në afatin më të shkurtër të mundshëm, në mënyrë që qytetarët të kompensohen sa më shpejt”, tha Verona Aliu nga BDI.
Komuna e Çairit i hodhi poshtë pretendimet e këshilltarëve të opozitës, duke theksuar se Komisioni për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë është formuar që në muajin maj. Sipas komunës, menjëherë pas reshjeve ekipet kompetente kanë dalë në terren dhe ka nisur evidentimi i dëmeve. Komuna thotë se procedurat për vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve po zhvillohen sipas ligjit dhe akuzon opozitën se po kërkon masa që tashmë janë ndërmarrë.
KOMUNA E ÇAIRIT:
“Menjëherë pas reshjeve të dendura, ekipet e Komunës së Çairit, Shtabi i Krizave, ndërmarrjet publike dhe institucionet kompetente dolën në terren dhe ndërhynë në të gjitha lokacionet ku u paraqit nevoja. Paralelisht, ka nisur evidentimi i dëmeve të paraqitura, ndërsa Komisioni do të vazhdojë procedurat e vlerësimit dhe përpunimit të tyre në përputhje me metodologjinë dhe afatet e përcaktuara me ligj. Nga kjo rezulton se këshilltarët e opozitës kërkojnë të bëhet diçka që është bërë që në muajin maj të këtij viti. Komisioni është formuar me vendim të Këshillit të Komunës, që do të thotë se të gjithë këshilltarët, përfshirë edhe ata të opozitës, kanë qenë në dijeni se ky trup është formuar”
Kujtojmë se reshjet e dendura të shiut që përfshinë Shkupin dhe veçanërisht Komunën e Çairit para dy ditësh shkaktuan përmbytje në rrugë, oborre, shtëpi dhe biznese, duke lënë pas dëme materiale. Qytetarët raportuan vështirësi në qarkullim dhe dëmtime të pronave, ndërsa ekipet e komunës dhe institucioneve kompetente intervenuan në terren për pastrimin e zonave të prekura. Pas përmbytjeve, janë shtuar thirrjet për evidentimin e dëmeve, kompensimin e qytetarëve dhe marrjen e masave për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen.
