komuna e Tetovës zyrtarisht ka njoftuar se dënohen me 20 për qind të pagës 60 të punësuar, me arsyetim se nuk kanë qenë të rregullt në vendin e punës.
Të punësuarit e gjobitur thonë se në këtë rast bëhet fjalë për diskriminim i cili bëhet vetëm nëse nuk i shkon për shtati “politikës diktatoriale të Teuta Arifit dhe stafit të saj”.
“Në komunën e Tetovës ka shumë administratorë që marrin rroga dhe nuk vijnë asnjëherë në punë dhe ka nga ata që vijnë në mëngjes evidentohen dhe nuk rrinë asnjëherë në vendin e punës, për ata nuk vlen masa disiplinore dhe dënimet, sepse ata janë të përkëdhelurit e stafit të kabinetit të Teuta Arifit. Me dënimet e punëtorëve nuk bëhet fushatë, me dënimet e punëtorëve nuk dërgohet bukë për emigrantët në Gjevgjeli. Punëtorët e komunës së Tetovës nuk kanë faj që stafi i Teuta Arifit bashkë më të kanë dështuar dhe nuk kanë përmbushur asnjë premtim për Tetovën”, thotë për “Lajm” Rami Mislimi, njëri nga 60 punëtorët e dënuar.
Edhe pse është i revoltuar nga dënimi për të cilin thotë se është i padrejtë, Mislimi shprehet i gatshëm të bëjë një gjest të rrallë humanitar, nëse është e vërtetë se gjoba prej 20-për qindëve do të dërgohet për emigrantët në Gjevgjeli.
“Unë jam i gëzuar nëse nga paga ime me të vërtetë kanë dërguar bukë dhe ujë për emigrantët dhe bëj apel publik deri të komuna që gjithë pagën për 6 muaj ta transferojnë për raste të këtilla sepse komuna s’ka kapacitet ti menaxhoje këto raste siç dështuan me vërshimet në Tetovë”, thekson Mislimi. Deri tani nuk ka reagim nga komuna e Tetovës lidhur me revoltën e punëtorëve të dënuar.
