Kompania suedeze “Saab” i shet Ukrainës 16 avionë luftarakë “Gripen”, për 2.54 miliardë dollarë

TË FUNDIT

Prodhuesi suedez i pajisjeve të mbrojtjes Saab ka nënshkruar dje një kontratë për furnizimin e Ukrainës me 16 avionë luftarakë Gripen E, me vlerë rreth 24.6 miliardë korona suedeze, ose 2.54 miliardë dollarë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi në Telegram se marrëveshja e arritur me kryeministrin suedez Ulf Kristersson përfshin blerjen e 16 avionëve Gripen E, si dhe mbështetje teknike.

Kompania Saab bëri të ditur se dërgesat e avionëve të modelit Gripen E janë planifikuar për vitet 2029 dhe 2030. Ndërkohë, sipas Zelenskyt, dorëzimi i modeleve më të vjetra Gripen C/D do të nisë në fillim të vitit 2027.

Zelensky shtoi se gjatë takimit të djeshëm në Kiev me ministrin suedez të Mbrojtjes, Pål Jonson, është diskutuar zbatimi i marrëveshjes dhe bashkëpunimi më i gjerë në fushën e mbrojtjes, përfshirë projektet që lidhen me dronët dhe mbrojtjen raketore.

Mediat britanike theksojnë se kjo marrëveshje ndryshon nga plani i prezantuar nga Zelensky në muajin maj, kur ai kishte deklaruar se Ukraina do të blinte 20 avionë Gripen E, ndërsa Suedia do të siguronte edhe 16 avionë Gripen të modeleve më të vjetra për të mbështetur përpjekjet ushtarake të Kievit kundër Rusisë.

Sipas raportimeve të mëhershme, Ukraina do ta financojë blerjen e avionëve luftarakë suedezë përmes paketës së kredisë së Bashkimit Evropian me vlerë 90 miliardë euro.