SHBA vendosin sanksione të reja ndaj Kubës, në listë edhe nipi i Raul Castros

TË FUNDIT

SHBA-ja mbrëmë vendosën sanksione të reja ndaj pesë kompanive kubaneze dhe Fidel Ernesto Castro Díaz-Balart, nipit të ish-presidentit kubanez Raul Castro, në kuadër të presionit të shtuar ekonomik të administratës së presidentit amerikan Donald Trump ndaj autoriteteve komuniste në Havana.

Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi se në listën e përditësuar të subjekteve të sanksionuara, ndër të tjera, janë shtuar banka shtetërore kubaneze “Banco Exterior de Cuba”, kompania “Comercial Cupet SA”, e cila merret me shitjen e karburanteve dhe lubrifikantëve, tregtari me shumicë i makinerive “ABAPET”, si dhe kompanitë “CEXNI” dhe “NICAROTEK”, të lidhura me industrinë minerare.

Sipas “Bloomberg”, në listë ndodhet edhe 31-vjeçari Fidel Ernesto Castro Díaz-Balart, i biri i Alejandro Castro Espín, zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme të Kubës, ndaj të cilit SHBA-ja vendosi sanksione në qershor.