Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se me nisjen e luftës në Iran, ka shpëtuar Britaninë nga një sulm bërthamor, ndërsa sërish kritikoi Londrën për refuzimin për t’u përfshirë në konflikt, raportoi DPA.
“Po shpëtoj edhe vendin tuaj nga kërcënimi… Sepse nëse Irani do të kishte armë bërthamore, ka më shumë gjasa që t’i përdorte në Evropë, deri ku mund të arrijnë raketat iraniane”, tha Trump në një intervistë televizive për britaniken “GB News”.
Ai sërish përqeshi gatishmërinë e Britanisë së Madhe për t’u përfshirë në konfliktin me Iranin dhe la të kuptohet se SHBA-ja mund të tërheqë mbështetjen për Britaninë në çështjen e Ishujve Falkland.
“Mos harroni se një përqindje e madhe e naftës suaj kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, ndërsa ju nuk ishit aty për të më ndihmuar”, theksoi Trump.
Deklarata e Trump vjen në një kohë të tensioneve të vazhdueshme ushtarake mes Uashingtonit dhe Teheranit në Lindjen e Mesme, lidhur me Ngushticën e Hormuzit. Ky korridor i rëndësishëm detar për transportin e energjisë ishte i hapur për trafikun e anijeve deri para ofensivës amerikane dhe izraelite kundër Iranit, për të cilën Uashingtoni dhe Tel Avivi pretendojnë se synonte parandalimin e zhvillimit të armëve bërthamore nga Irani.
Ndërprerjet e trafikut detar në Gjirin Persik tronditën ekonomitë në mbarë botën, përfshirë atë britanike, dhe çuan në rritje të ndjeshme të çmimeve të karburanteve.
Duke folur për emigracionin, Trump paralajmëroi se “nëse nuk i ndaloni njerëzit të hyjnë në vendin tuaj nga e gjithë bota, nuk do t’ju mbetet më vendi”.
Ai tha se pjesë të Londrës janë “zona ku nuk duhet të hyhet” për shkak të emigracionit dhe se policia “ka frikë” të patrullojë në ato zona.
Trump përsëri kritikoi kryetarin e Londrës, Sadiq Khan, me të cilin ka marrëdhënie të tensionuara.
“Nëse kaloni nëpër Londër, Londra është një vend krejtësisht tjetër. Keni një kryetar të tmerrshëm. Ai është njeri i neveritshëm, njeri i pakëndshëm. Është kryetar shumë i keq. Keni një nivel shumë të lartë të krimit dhe Londra është një vend krejtësisht tjetër – nëse merrni dikë nga 15 apo 20 vjet më parë dhe e çoni në Londër, ai nuk do ta kuptonte se çfarë ka ndodhur. Është një vend kaq ndryshe”, deklaroi Trump.
Në intervistë, presidenti amerikan tha gjithashtu se, po të ishte mbret i Britanisë së Madhe, nuk do ta kishte “kthyer” princin Harry dhe Meghan Markle.
“Ai është një njeri shumë më i mirë se unë”, tha Trump për mbretin Charles III.
Komentet e tij erdhën pak më shumë se një javë pasi Duka dhe Dukesha e Sussex-it u kthyen në Britaninë e Madhe për të nisur një jetë të re, pas gjashtë vitesh të kaluara në SHBA.
