Komisioni hetimor i kërkon Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin e Ilir Metës

TË FUNDIT

Komisioni hetimor “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta”, në mbledhjen e ditës së sotme ka miratuar raportin përfundimtar që do t’i dërgohet Kuvendit të Shqipërisë për votim, duke kërkuar shkarkimin nga detyra të presidentit Meta.

Kryetari i këtij komisioni, deputeti Alket Hyseni, prezantoi raportin me gjetjet e hetimeve dhe në fund të mbledhjes, anëtarët e komisionit votuan pro raportit në fjalë, i cili do të votohet në një nga seancat parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë në ditët në vazhdim.

Hyseni theksoi se veprimet e presidentit Meta “ia kanë humbur atributet e kreut të shtetit dhe përfaqësuesit të unitetit të popullit”.

“Cilësia si kreu i shtetit dhe përfaqësuesi i unitetit të kombëtar janë dy rolet më thelbësore që Kushtetuta i ka veshur presidentit dhe humbja e këtyre roleve për të gjitha arsyet që jepen në këtë raport nuk mund të lejojnë vazhdimin e presidentit në këtë detyrë. Presidenti ka kryer shkelje të Kushtetutës në mënyrë të përsëritur”, tha Hyseni.

Duke shpalosur përfundimet e raportit, Hyseni tha se komisioni i kërkon Kuvendit miratimin e raportit dhe shkarkimin nga detyra të presidentit, sipas tij, për shkelje të rënda të Kushtetutës.

Partia Socialiste e Shqipërisë inicioi në fund të prillit një kërkesë drejtuar Kuvendit për shkarkimin e presidentit të vendit, Ilir Meta, me argumentin se përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit “ka kryer veprime në kundërshtim me Kushtetutën”.