Kodra e Diellit është pasuri natyrore, ajo nuk guxon të tjetërsohet dhe për të duhet të kujdeset dora e fortë e shtetit dhe qeverisë. Kështu vlerëson Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët i cili në emisionin e mbrëmshëm në Click Plus akuzoi Ministrinë e Ekonomisë për mënyrën e krijimit të politikave.
“Ajo qendër, kërkon një dorë të fortë të Qeverisë, kërkon një dorë të shtetit përshkak se kthehet në burim shumë të rëndësishëm i të ardhurave në shtet. Dhe ne nuk guxojmë me këto burime natyrore shumë të rëndësishme. Jemi apsolutisht kundër që të tjetërsohen pasuritë natyrore”, tha Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët.
E duke ju kundërpërgjigjur akuzave të Azirit, Ministri Kreshnik Bekteshi tha se janë duke shqyrtuar kërkesat e hotelierive dhe se janë duke u munduar që teleferiku të punojë si gjatë sezonit së verës po edhe të dimrit.
“Elem Tursi është duke i bërë analizat e duhura dhe së shpejti do të marri edhe vendim sa i përket asaj kërkese. Rruga Tetovë-Kodra e Diellit vetëm fillon. Sa i përket segmentit një kilometër po edhe njëkohësisht edhe infrastrukturës brenda për brenda kodrës së diellit, Komuna e Tetovës në Bashkëpunim me komunat tjera afër vetes ka aplikuar për një grant në kuadër të bankës botërore për të cilin edhe jamë i bindur se do ta fitojë në fundin e këtij viti”, deklaroi Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Aziri dhe Bekteshi akuzuan njëri-tjetrin edhe për shumë tema të tjera që kanë të bëjnë me ekonominë, bastoret dhe propozim-ligjet. Për këtë të fundit, Bekteshi tha se ASH-ja si opozitë nuk ka propozuar asnjë ligj gjatë dy viteve për të përmirësuar pozitën.
Përgatiti: Mevludin Imeri
