Zëdhënësja e Mogherinit tha se Qeveria e Kosovës duhet të heqë taksën
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini mbetet ndërmjetësja e vetme në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, kështu tha zëdhënësja e saj, Maja Kocijançiç për “Novosti” me rastin e njoftimit se Gjermania dhe veçanërisht Franca mund të merrnin pjesë aktive në këtë proces.
Kocijançiç ka deklaruar se çdo angazhim lehtëson dialogun, duke përfshirë një takim të ri të mundshëm. Zëdhënësja e Mogherinit thekson se ajo është duke bërë misionin e vet, transmeton rtv21.tv.
“Kontaktet tona po vazhdojnë. Për shembull, përfaqësuesja e lartë do të jetë pjesë e takimit të liderëve në kuadër të procesit Bërdo-Brione në Tiranë më 8 e 9 maj. Ajo është e gatshme që sërish të caktojë takimin për dialog. Po ashtu është e qartë se Qeveria e Kosovës duhet të heqë taksën në mënyrë që të mundësojë përtërirjen më të shpejtë të dialogut”, ka thënë Maja Kocijançiç.
Duke iu referuar takimit të mbajtur në Berlin, Kocijançiç tha se ky takim ofroi një mundësi për një shkëmbim informal të pikëpamjeve./21Media
