Në Çarshinë e vjetër të Shkupit, nën moton “Tash është koha”, koalicioni i përbërë nga Aleaca për Shqiptarët dhe Alternativa, prezantoi shkurt planin e tyre për fushatën për Zgjedhjet e parakohshme Parlamentare 2020.
Sekretari gjeneral i ASH-së, Arben Taravari, u shpreh se sipas sondazheve, në këto zgjedhje pritet të ndodhë ndryshimi i shumëpritur tek shqiptarët.
“Favorit në këto zgjedhje hyjnë koalicioni Alternativa dhe Aleanca; dhe shpresojmë që më 15 korrik do ta festojmë fitoren te shqiptarët” tha Taravari.
Programi i koalicioni quhet “Shtet për të gjithë”. Ky program, tregoi Taravari, është përgatitur me një aplikacion të quajtur “e ardhmja” ku qytetarët kanë mundur të japin propozimet e tyre për përgatitjen e programit . Kanë qenë mbi 2 mijë propozime, tha Taravari. Pas kësaj, programi është përpiluar edhe nga propozimet që dy partitë kanë marrë nga takimet me qytetarë.
“Në fund të gjitha propozimet nga aplikacioni “e ardhmja” dhe nga takimet me qytetarët ua dhamë ekspertëve të cilët u ulën dhe e përpunuan atë që sot e kemi si program “Shtet për të gjithë”. Ky program nuk ka as ëndrra as dëshira, por është një program real që mund të realizohet brenda 4 viteve” u shpreh Taravari.
Oferta e koalicionit ASH-Alternativa është e bazuar në 6 shtylla kryesore tha Taravari. Barazi e plotë, shteti i së drejtës, shteti që kultivon dhe ruan kapitalin njerëzor, zhvillimi i barabartë ekonomik e territorial dhe shteti zhvillimor, i gjelbër dhe i digjitalizuar, tregoi Sekretari Gjeneral, raporton tv21.tv
Koalicioni “Tash është koha” fushatën e fillon nesër, e enjte, 25 qershor, në orën 20, në sheshin “Iliria” në Tetovë me konventë promovuese të kandidatëve për deputetë si dhe programin zgjedhor.
Tubimet e tjera kryesore për të cilat foli Taravari do të mbahen si vijojnë: 28 qershor në Kumanovë, 2 korrik në Dibër, 4 korrik në Strugë, 8 korrik në Kërçovë, 10 korrik në Gostivar dhe më 11 korrik në Shkup. Takimet e tjera me grupe më të vogla të mbështetësve do të bëhen nga kryetarët e partive duke u takuar me të rinjtë, profesorë, sportisë, afaristë, bujq, mjekë, biznesmenë e të tjerë.
Taravari tha se në në gjitha takimet do t’u përmbahen masave për mbrojtje shëndetësore.
Ai po ashtu deklaroi se koalicioni i tyre fushatën po e nis i diskriminuar për shkak se në Komisionet zgjedhore nuk kanë anëtarë, edhe pse këto dy parti kanë 6 deputetë në Kuvend.
“Faktikisht neve na kanë vendosur në një grup me partitë që janë jashtparlamenatre. Edhe në media, ku duhet të prezantohemi me programin tonë, na jepet vetëm gjymë minuti ose një minut; dhe minutazha që i takon opozitës shqiptare, fatkeqësisht të gjitha ato minuta shkojnë në një koalicion i cili është në pushtet, flas për LSDM-në dhe Lëvizjen Besa” tha Taravari./TV21
