Koalicione ndëretnike, “patriotë” dhe “tradhtarë”, a po zhduket retorika nacionaliste para zgjedhjeve?!

TË FUNDIT

Edhe pse për opinionin publik duken pak të çuditshme, megjithatë koalicionet partiake ndëretnike para zgjedhjeve janë diçka pozitive në vendin tonë. Me dy blloqet, LSDM, BDI, Besa dhe PDSH në njërën anë dhe VMRO-DPMNE, Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa në anën tjetër, më me siguri do të zhduket retorika dhe atmosfera nacionaliste, e cila vërehej para pothuajse çdo cikli zgjedhor në vendin tonë.

Me shumë gjasa tani, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për zgjedhje lokale, në vend të politikëbërjes, fokusi i partive dhe kandidatëve do të jenë problemet reale infrastrukturore.

Ish-deputeti nga përbërja e parë parlamentare, Ismet Ramadani thotë se koalicioni mes Selës dhe Mickoskit është i çuditshëm, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit, para së gjithash retorikën e partive, por edhe 27 prillin e vitit 2017, kur lideri i Aleancës për shqiptarët ishte rrahur në mënyrë brutale. Megjithatë, Ramadani e përshëndet vendimin e këtillë.


“Zijadin Sela është në një situatë shumë të vështirë, ndoshta edhe personale, edhe psikologjike, sepse kaloi përmes atij purgatori të jetës dhe vdekjes nga njerëz të cilët nesër në tavolinë do të jenë me të ose pranë tij. Hallall i qoftë që e ka tejkaluar këtë. Mendoj se është shumë e vështirë të tejkalohet një situatë e tillë”, tha Ismet Ramadani – ish-deputet.

Ish-kryeministri Lupço Georgievski thotë se që nga pavarësimi i vendit, para çdo cikli zgjedhor partitë kanë përdorur retorikë ndëretnike ose nacionaliste me qëllim që të vijnë në pushtet. Prandaj, sipas tij është më mirë të ketë koalicione të këtilla para, sesa pas zgjedhjeve, sepse, siç shton, në këtë mënyrë do të shmangen përplasjet e ndërsjella me qëllim që të fitohet një votë më shumë.


“Mendoj se në njëfarë mënyre VMRO-DPMNE-ja e Gruevskit dhe BDI-ja ishin mjeshtër, sepse nëse e mbani mend para çdo cikli zgjedhor retorika nxehej maksimalisht, kurse pas zgjedhjeve e formonin Qeverinë sikur të mos kishte ndodhur asgjë”, deklaroi ish-kryeministri Lupço Georgievski.

Georgievski shton se nëse dikush ka qenë në koalicionit për katër vjet, atëherë duhet të pritet se do të sillet në mënyrë racionale me njëri-tjetrin para dhe pas zgjedhjeve.
Ndryshe, në zgjedhjet që do të mbahen më 17 tetor, në disa komuna partitë do të mbështeten mes vete, prandaj u ndan në dy blloqe. Në njërën anë janë LSDM-ja, BDI-ja, Besa dhe PDSH-ja, kurse përballë tyre do të jenë: VMRO-DPMNE-ja, Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa.