Donjeta Sadiku është kampione e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.
Boksierja kosovare ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme në finalen e kategorisë deri në 60 kilogramë, duke mposhtur boksieren serbe Kristina Kuluhova.
Sadiku e dominoi meçin dhe në rundin e dytë e detyroi kundërshtaren të dorëzohej, duke siguruar kështu medaljen e artë për Kosovën.
Një triumf spektakolar për Donjetën, e cila nga fillimi deri në fund tregoi forcën dhe superioritetin e saj në ring.
Pas fitores së madhe në finale, Donjeta Sadiku ka folur shkurt për paraqitjen e saj në Taranto.
“Ndeshja ka shkuar ashtu siç e kemi parashikuar. Kam qenë super e përgatitur”, ka thënë Sadiku pas triumfit.
Boksierja kosovare ka theksuar se medalja e artë ka një domethënie të veçantë për të.
“Këtë medalje ia dedikoj të gjithë Kosovës”, u shpreh Donjeta Sadiku.
Me këtë triumf historik, Donjeta Sadiku dedikoi Kosovës medaljen e artë në Taranto, pasi në finale mposhti boksieren që garoi për Serbinë. Një fitore e veçantë për Donjetën dhe një moment krenarie për gjithë Kosovën.
