Klubi i natës në Zvicër u përfshi nga zjarri shkaku i piroteknikës? Nuk ka informacione për shtetasin nga Maqedonia që figuron i zhdukur

TË FUNDIT

Britma, shtyrje, kaos… Për disa sekonda, nata e Vitit të Ri në qendrën e njohur skijimi Kran Montana në Zvicër u shndërrua në një tragjedi të madhe. Të paktën 40 të vdekur, mbi 100 të plagosur, nga një zjarr në një klub nate.

 “Jam ende në shok. Nuk mund ta kuptoj se çfarë ndodhi. Kam ndjesinë se kjo është një makth dhe se do të zgjohem. Mbrëmë nuk fjeta asnjë sekondë, nuk munda – mbyllja sytë dhe gjithçka më kthehej, sepse pashë se si u jepnin ndihmë njerëzve. Pashë njerëz të plagosur rëndë. Pashë njerëz që po vdisnin. Sinqerisht, e gjithë kjo ishte shumë e rëndë dhe vërtet shumë e vështirë për t’u përballuar”, tha Natan Igenen, 19 vjeç, pjesëmarrës në festë.

Edhe pse ende po përcaktohen shkaqet e zjarrit, një pjesë e mediave franceze publikuan një fotografi në të cilën shihet se si ka nisur zjarri. Shkëndija piroteknike  ishin vendosur mbi shishe shampanje dhe, kur mysafirët i ngritën shishet, u përfshi nga flakët tavani, mbi të cilin kishte sfungjer për izolim të zërit.

Përveç shkaqeve të zjarrit, po zhvillohet hetim edhe për të përcaktuar nëse janë respektuar të gjitha standardet e sigurisë që kërkohen për funksionimin e një klubi nate.

 “Numërojmë rreth 40 persona të vdekur dhe afërsisht 115 të plagosur, nga të cilët shumica janë të plagosur rëndë. Ju rikujtoj se, për nevojat e hetimit, rruga kryesore në Krans është e mbyllur deri në një njoftim të radhës. Në periudhën e afërt dhe në ditët që pasojnë, prioritet do të jetë identifikimi i të ndjerëve, me qëllim që trupat e tyre t’u dorëzohen sa më shpejt familjeve”, theksoi Frederik Gisler, komesar policie.

 “Së fundi, lidhur me ngushtësinë e shkallëve, i pashë shkallët dhe bëra këqyrje në vendngjarje për të përcaktuar se çfarë përfaqëson saktësisht shkallë e ngushtë. Hetimi do të përcaktojë edhe nëse janë respektuar apo jo të gjitha standardet e sigurisë”, pohoi Beatris Pilu, prokurore shtetërore e Kantonit Valais.

Për momentin nuk ka informacione shtesë për shtetasin nga Maqedonia që figuron si i zhdukur pas zjarrit në qendrën dimërore zvicerane Kran Montana. Një informacion i tillë u shfaq në një pjesë të mediave dhe u konfirmua nga Qeveria.

 “Informacionet e fundit që kemi marrë nga institucionet kompetente janë se bëhet fjalë për një person me shtetësi maqedonase. Jemi në kontakt me autoritetet dhe policinë zvicerane dhe presim më shumë detaje lidhur me këtë, pas së cilës do ta informojmë publikun”, u shpreh Maria Miteva – zëdhënëse e qeverisë së RMV-së.

Është vendosur kontakt me përfaqësues zyrtarë të Zvicrës dhe është ofruar ndihmë.

Ndërkaq, pronarë të këtij bari janë Xhesika dhe bashkëshorti i saj, një çift bashkëshortor nga Korsika e Francës, të cilët konsiderohen si restauratorë të njohur në Zvicër. Barin “Le Konstelacion” e kanë marrë në vitin 2015 dhe nga një vend i lënë pas dore e kanë shndërruar në një nga klubet e natës më të njohura në qendrën e skijimit Krans Montana. Sipas informacioneve, pronarja ndodhej në bar në momentin kur ndodhi zjarri dhe me djegie është dërguar në spital.