Ish-Komandanti i NATO-s Uesli Klark tha se marrëveshja për normalizimin ekonomik të Kosovës dhe Serbisë mund të jetë jashtëzakonisht e dobishme vetëm nëse ndikimi i Kinës dhe Rusisë në rajon zvogëlohet.
“Mendoj se çdo mundësi për negociata, veçanërisht nën kujdesin e Shteteve të Bashkuara, është një hap pozitiv, si dhe çdo mundësi për të ndërmarrë masa për zhvillimin ekonomik është një rrethanë e favorshme. Sidoqoftë, ky është një proces që ka zgjatur për gati dy dekada dhe është plot me vështirësi, të cilat janë ende larg zgjidhjes”, deklaroi Klark për Zërin e Amerikës.
Investimet e mëdha të huaja ndonjëherë mbajnë, siç e tha Klark, “bishta politikë”.
“Unë me shumë kujdes e ndjek modelin e investimeve të huaja që vijnë në Serbi nga Rusia, Kina dhe disa vende të tjera. Po i ndjek edhe pasojat politike të këtyre investimeve. Besoj se qeveria e Kosovës do ta marrë këtë parasysh në politikën e saj”, tha gjenerali amerikan në pension.
Për çështjen e qasjes së Presidentit serb Aleksandar Vuçiq, shpesh e quajtur “politikë e mbështetur në katër shtylla” – Uashington, Bruksel, Pekin dhe Moskë – Klark tha se “për Serbinë kjo mund të jetë e realizueshme vetëm nëse presidenti Vuçiq mund ta kontrollojë ndikimin e investitorëve të huaj përmes shërbimeve të tij të sigurisë”.
“Kur Rusia dhe Kina investojnë, ata nga ana tjetër presin koncesion të caktuar politik. Një qasje e tillë është gjithashtu problematike nga këndvështrimi i Bashkimit Evropian”, shtoi ai.
Sipas tij, Ballkani Perëndimor është një sferë ruse e interesit, “të cilën ata duan ta rimarrin dhe kontrollojnë, ndërsa pasi të marrin kontrollin, t’ua mohojnë të tjerëve prerogativat e lirisë”.
“Ne amerikanët nuk besojmë në sfera me interes. Qasja jonë është që çdo komb duhet të punojë në interesin e tij më të mirë dhe që vendet duhet të punojnë së bashku për të gjetur interesa të përbashkëta, duke mos kërkuar kurrë sfera të ndikimit”, deklaroi ish-kryekomandanti i NATO-s për Zërin e Amerikës.
