Kina ndalon dialogun me SHBA pas vizitës së Pelosit në Tajvan

TË FUNDIT

Kina njoftoi të premten se po ndalonte dialogun me Shtetet e Bashkuara në një numër fushash, përfshirë midis komandantëve ushtarakë të nivelit strategjik dhe bisedimet për mjedisin, duke e përshkallëzuar kështu situatën edhe më tej pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në Tajvan.

Ministria e Jashtme e Kinës tha se po pezullonte gjithashtu bashkëpunimin me Uashingtonin për parandalimin e krimit ndërkufitar dhe trafikut të drogës, fusha këto ku krahas ndryshimeve mjedisore zyrtarët amerikanë shohin mundësi për bashkëpunim.

Kina ka reaguar me zemërim pasi zonja Pelosi e vizitoi ishullin e vetëqeverisur që Pekini e konsideron si territorin e tij sovran, duke shënuar kështu vizitën e nivelit më të lartë nga zyrtarë e Shteteve të Bashkuara, në 25 vjetët e fundit. Në kuadër të reagimit të ashpër, Kina nisi të enjten stërvitje ushtarake në detet dhe hapësirën ajrore rreth Tajvanit. Stërvitjet, më të mëdhatë të kryera ndonjëherë nga Kina në ngushticën e Tajvanit, janë planifikuar të vazhdojnë deri në mesditën e së dielës.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të premten se gjithsej 68 avionë ushtarakë dhe 13 anije të marinës kineze po kryenin stërvitje në ngushticën e ndjeshme të Tajvanit. Disa prej tyre, thanë ata, kaluan edhe një pjesë të zonës jozyrtare neutrale që ndan të dy palët, një lëvizje që ministria e përshkroi si “dëmtim të status quo-së”.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Uashingtoni i ka bërë të qartë në mënyrë të përsëritur Pekinit se nuk kërkon një krizë për vizitën e zonjës Pelosi në Tajvan, e cila u zhvillua të mërkurën gjatë një turneu të delegacionit të Kongresit amerikan në Azi.

“Nuk ka asnjë justifikim për këtë reagim ushtarak ekstrem dhe përshkallëzues,” tha zoti Blinken në një konferencë shtypi ndërsa po merrte pjesë të Forumit Rajonal ASEAN në Kamboxhia. Ai shtoi, “tani, ata i kanë çuar aktet e rrezikshme në një nivel të ri.”

Zoti Blinken theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmarrin veprime për të provokuar krizë, por do të vazhdojnë të mbështesin aleatët rajonalë dhe të kryejnë lëvizje standarde ajror dhe detare përmes ngushticës së Tajvanit.

“Ne do të fluturojmë, lundrojmë dhe operojmë kudo që e lejon ligji ndërkombëtar”, tha ai.