Kina intensifikon punën si kryesuese e radhës e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait

TË FUNDIT

Kina po intensifikon punën në rolin e saj të presidencës së radhës së Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait dhe është e përkushtuar të presë një samit me miqësi, solidaritet dhe rezultate të frytshme, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, citon “Xinhua”.

“Kina po punon intensivisht për të përmbushur detyrën e saj si kryesuese e OBSH-së dhe do të punojë me të gjitha palët për ta udhëhequr organizatën në një fazë të re të zhvillimit me cilësi të lartë, duke shfaqur solidaritet, koordinim, dinamizëm dhe produktivitet më të madh”,- tha Guo. 

Që nga marrja e presidencës së OBSH-së në korrik 2024, Kina ka punuar për të promovuar bashkëpunim më të thellë të organizatës në politikë, siguri, tregti, shkëmbim kulturor dhe ndërmjet njerëzve, si dhe ndërtimin e mekanizmave, ndër fusha të tjera, tha ai. 

Sipas zëdhënësit, Kina ka pritur takimin e Këshillit të Strukturës Rajonale Antiterroriste të OBSH-së, takimin e liderëve të mbrojtjes kufitare të OBSH-së dhe stërvitjen e përbashkët kundër terrorizmit për të promovuar më tej bashkëpunimin e sigurisë dhe besimin e ndërsjellë midis shteteve anëtare. 

Për më tepër, Kina ka organizuar Konkursin e Aftësive të Punëtorëve të Vendeve të OBSH-së, ngjarjen e transmetimit të drejtpërdrejtë të tregtisë elektronike dhe Konferencën e Industrisë Botuese të Vendeve të OBSH-së, për të thelluar dhe forcuar bashkëpunimin praktik. 

Me fokus në Vitin e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OBSH-së, Kina priti programe trajnimi në fusha të tilla si zhvillimi i gjelbër, reduktimi i varfërisë, shkëmbimi i informacionit mjedisor dhe teknologjia e gjelbër me karbon të ulët, tha Guo. 

Në fazën tjetër, përveç takimeve ministrore në fusha të ndryshme, Kina do të presë një sërë ngjarjesh, duke përfshirë forumin e partive politike të OBSH-së, dialogun e tryezës së rrumbullakët mbi qeverisjen globale, Konkursin e Inovacionit dhe Sipërmarrjes Rinore, Festivalin e Filmit të OBSH-së, Festivalin e Televizionit dhe Festivalin e Artit, tha ai. 

Samiti i OBSH-së do të jetë kulmi i ngjarjeve të këtij viti, pasi udhëheqësit e vendeve anëtare të organizatës do të mblidhen përsëri në Kinë për të diskutuar zhvillimin dhe bashkëpunimin e ardhshëm, tha Guo.