Kina do të ndajë 30 milion dollarë shtesë për OBSH-në

TË FUNDIT

Kina dje njoftoi se do të ndajë 30 milion dollarë shtesë për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, pasi SHBA e ndërpreu financimin për OBSH-në.

“Mjetet do të përdoren ekskluzivisht për parandalimin dhe kontrollin e Kovid-19, si ndihmë për zhvillimin e sistemeve shëndetësore në vendet në zhvillim”, deklaroi Geng Shuang, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës.

Presidenti i SHBA-s Donald Tramp, më 15 prill urdhëroi të ndërpriten financimet amerikane për OBSH-në, sepse ishte i pakënaqur me punën e organizatës gjatë pandemisë koronavirus. Ai vlerësoi se OBSH nuk e ka përmbushur detyrën e saj themelore dhe se për këtë duhet të mbajë përgjegjësi. Tramp ka akuzuar OBSH-në për promovimin e “dezinformatave kineze” për koronavirusin e ri, që sipas tij, ka çuar në epidemi më të madhe.

Sekretari i Shtetit Majk Pompeo në intervistë për “Foks Njuz”, deklaroi se nuk përjashtohet mundësia që Uashingtoni asnjëherë më nuk do ta rinovojë financimin për Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

“Mendoj se Uashingtoni asnjëherë më nuk do të dërgojë para të taksapaguesve amerikanë në OBSH. E mundur është që do të ndërmerret një hap edhe më vendosës se ky”, tha Pompeo.

Ai shtoi se SHBA-ja duhet të jetë më e përkushtuar ndaj OBSH-së, dhe se kjo nuk është hera e parë që shfaqen probleme me këtë organizatë, e cila është pjesë e Kombeve të Bashkuara.

“Kjo është e domosdoshme dhe kërkon reformë strukturore në OBSH”, tha Pompeo, por refuzoi të përgjigjet në pyetjen nëse SHBA-ja do të formojë organizatë të ngjashme.