Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku sot edhe zyrtarisht ka njoftuar aderimin e Doarsa Kicës në LDK. Kreu i LDK-së ka shpërndarë një foto bashkë me ish deputeten e Listës Guxo, duke i uruar mirëseardhje.
“Sot, Lidhjes Demokratike të Kosovës, iu bashkua deputetja e Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili. Si politikane aktive e profesioniste e shquar, ardhja e saj në LDK është vlerë. Për këtë jemi të lumtur të gjithë.Me Doarsën kemi biseduar gjatë mbi politikën, aktivizmin dhe vizionin e Lidhjes tonë për vendin. Pikëpamjet e saj për Kosovën, për të tashmen e të ardhmen e brezave të këtij vendi – për drejtësinë në veçanti – janë vlera që provojmë t’i shpërfaqim me këmbëngulësi në çdo veprim tonin politik. Kemi folur për LDK-në, idetë tona përpara dhe nevojën e ndërtimit të kësaj rruge së bashku me më të mirët e vendit”, ka shkruar mes tjerash Abdixhiku.
Ndryshe, Doarsa Kica Xhelili është avokate me profesion, ndërkaq është me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, respektivisht nga Struga.
