Këto Pashkë të gjithë në shtëpi, Spasovski: Besimtarët të jenë të përgjegjshëm

TË FUNDIT

P

Debat i ashpër po zhvillohet në publik për vizitën e besimtarëve nëpër kisha dhe rrezikun e shpërndarjes së koronavirusit. Në emisionin Klik Plus, prifti Boban Mitevski, tha se kisha i respekton masat dhe se gjatë kohës së orës policore këtë vit nuk do të festohen Pashkët.

“Dyert e kishave janë mbyllur dhe do të mbeten të mbyllura, brenda kishave do të jenë vetëm priftërinjtë dhe ata që duhet të jenë prezentë në liturgjinë që e njëjta të mund të mbahet. Patjetër ne besojë se çdo besimtar që është i vetëdijshëm dhe i përgjegjshëm për të mirën e të gjithëve do ta manifestojë atë përgjegjshmëri”, tha Boban Mitevski, Prift.

Për atë se si do të festohet, kryeministri Oliver Spasovski ka biseduar edhe me kryepeshkopin e KOM, Z. Stefan, ku është kërkuar që ritet fetare të Pashkëve të mbahen pa praninë e besimtarëve.

“Tani nuk është koha që të mblidhemi nëpër kisha, sepse tani duhet të jemi të përgjegjshëm ndaj shëndetit dhe këtë duhet ta tregojnë të gjithë pa dallim nëse janë në pushtet apo janë nga radhët e pushtetit të kishës. Edhe ata duhet të tregojnë përgjegjshmëri ndaj qytetarëve dhe besimtarëve”, tha Oliver Spasovski, Kryeministër.

Ministri i Brendshëm Naqe Çulev, tha se i kupton ndjenjat e besimtarëve, por se duhet të respektohen masat.

“Edhe unë jam besimtar si dhe një pjesë e nëpunësve policorë janë besimtarë që duan të marrin pjesë në lutje dhe liturgji në objektet fetare, andaj e kuptoj motivin e besimtarëve, megjithatë duhet ta kuptojmë seriozitetin e situatës, të qëndrojmë në shtëpi dhe festën e madhe ta festojmë me familjen’, tha Naqe Çulev, Ministër i Brendshëm.

Jetojmë në gjendje të jashtëzakonshme dhe megjithatë për dallim të viteve paraprake është ulur numri i besimtarëve nëpër kisha, tha Darijan Sotirovski, kryetar i Komisionit të bashkësive fetare, i cili shtoi se kryesisht priftërinjtë i respektojnë masat.

“Si shtet, si autoritete jemi të kënaqur me punën e të gjitha subjekteve fetare, janë korrekte dhe angazhohen për respektim të masave. Dy bashkësitë më të mëdha fetare që janë më të përhapura në vendbanimet kanë shumë priftërinj, prandaj ka mundësi që të ketë edhe mendime të ndryshme”, tha Darian Sotirovski, Komision për bashkësitë fetare.

Kur vendi po përballet me pandeminë e korona virusit, nga KOM dërguan porosi se këto Pashkë do të festohen në shtëpi, ndërsa porosi deri te KOM dërgoi edhe Komisioni evropian ku thuhet se të gjithë kanë për obligim të mbrojnë shëndetin publik. Gjatë kohës së Pashkëve, priftërinjtë do të mbajnë liturgji pa prezencën e besimtarëve.