Këshilli i Komunës së Strugës ka mbetur pa kryetar dhe partitë assesi të bien në ujdi! Pas akuzave të djeshme të kryetarit të Komunës, Mendi Qyra, se bllokada po vjen nga AKI dhe Lista e ish-kryetari Ramiz Merko, nga AKI u kundërpërgjigjen duke i quajtur akuzat e pabaza. Këshilltari komunal Faton Pollozhani tha se Këshilli që në seancën e parë ka shkelur ligjin duke vendosur në rend dite propozimin për emër nga radhët e AKI-së, ndërsa pas konstituimit e kanë tërhequr pikën nga rendi i ditës.
“Ai me ne as nuk është konsultuar as nuk ka biseduar dhe as nuk na ka ftuar. Akuzat e tij janë vetëm një shenjë e pafuqisë politike përballë VMRO-së, bëhet luan – si fëmija në shtëpi bëhet luan e kur shkon në shkollë bëhet mi”, tha Faton Pollozhani.
Kryetari Qyra dje paralajmëroi zgjedhje të reja për këshilltarë, nëse nuk gjendet zgjidhje për zhbllokim.
“Unë si kryetar i Komunës së Strugës bashkë me partitë e shumicës kemi rënë dakord që nëse opozita vazhdon metodat bllokuese në momentin që do të përmbushen kushtet ligjore do të organizojmë zgjedhje të parakohshme për këshillin Komunal”, deklaroi Mendi Qyra.
Për këtë situatë pyetëm Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, por na thanë se nuk janë kompetent për të folur në këtë pikë.
Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, këshilli i komunës mund të shpërndahet me vetëiniciativë nëse për këtë deklarohet shumica e anëtarëve të tij. Shpërndarja e këshillit mund të ndodhë gjithashtu nëse ai miraton përsëri një dispozitë që më parë është anuluar ose ndërprerë nga Gjykata Kushtetuese, sjell vendime që rrezikojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës, nuk mblidhet për më shumë se 6 muaj ose nuk e miraton buxhetin dhe llogarinë përfundimtare të buxhetit deri më 31 mars të vitit vijues.
LIGJI PËR VETQEVERISJE LOKALE
Neni 74
Shpërndarja e këshillit me vetiniciativë
Këshilli i komunës shpërndahet nëse për atë deklarohet shumica nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të tij.
Neni 75
Kushtet për shpërndarje të këshillit
(1) Këshilli shpërndahet nëse:
• Sërish e miraton dispozitën që paraprakisht është anuluar ose ndërprerë me vendim të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë.
• Sjell vendim me të cilin rrezikohet sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Maqedonisë.
• Nuk takohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.
• Nuk e miraton buxhetin dhe llogarinë përfundimtare të buxhetit deri më 31 mars të vitit vijues.
Përndryshe, Këshilli Komunës së Strugës përbëhet nga 23 këshilltarë – 8 AKI, 6 VMRO-DPMNE, 4 VLEN, 1 LSDM, 1 Levica dhe 3 Lista e Pavarur e Merkos.
