Këshilli Gjyqësor kontrollon lëndët e gjyqtarit Ristov! Kambovski: Gjatë javës do të dihet çfarë është zbuluar

TË FUNDIT

Po kryhen kontrolle mbi punën e gjyqtarit të Apelit Gjoko Ristov, sipas një ankese anonime. Këto hapa po ndërmerren pasi në shtëpinë e prindërve të Ristovit u gjetën të murosura 350 mijë euro, pas së cilës atij iu hoq imuniteti dhe u largua nga funksioni gjyqësor. Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, deklaroi se ende po shqyrtohen lëndët në të cilat ka vepruar Ristovi dhe se të dhënat për atë që është gjetur do të bëhen të njohura gjatë kësaj jave. Paralajmëroi edhe një kontroll më të gjerë të Gjykatës së Apelit.

“U krye kontroll mbi një pjesë të lëndëve në të cilat ka vepruar gjyqtari që e përmendët, por për momentin nuk kam të dhëna për t’jua paraqitur në kuptimin nëse është detektuar ndonjë lëshim apo jo, sepse Komisioni ende po i shqyrton lëndët. Gjatë kësaj jave duhet të përfundojnë, sepse bëhet fjalë, siç ju thashë, për 5 ose 6, nuk është ndonjë numër i madh lëndësh, por siç paralajmërova, në një të ardhme shumë të afërt do të kontrollohet puna e përgjithshme e Gjykatës së Apelit”, deklaroi Aleksandar Kambovski.

Në mesin e muajit të kaluar, në Këshillin Gjyqësor ka mbërritur një ankesë anonime, e cila siç u tha, është dërguar nga bashkëpunëtorë gjyqësorë dhe këshilltarë që kishin punuar me Ristovin. Kambovski thotë se në atë ankesë ishin treguar edhe lëndë konkrete.

“Ankesën e trajtuam si anonime, ishte e nënshkruar nga një grup të punësuarish, bashkëpunëtorë profesionalë dhe këshilltarë nga Gjykata e Apelit Shkup, pa nënshkrim, pa emra, pa mbiemra, kjo sipas ligjit trajtohet si anonime, megjithatë vendosëm të formojmë një grup për t’i kontrolluar ato lëndë, dhe ndërkohë na mbërriti edhe një demant, po ashtu nga një grup të punësuarish, bashkëpunëtorë profesionalë, se ata nuk e kanë paraqitur atë ankesë. Edhe kjo është pa emra, pa mbiemra, ndërsa në këtë të dytën ka të vendosura nënshkrime. Kështu që të dyja i vlerësojmë si anonime”, tha Aleksandar Kambovski.

Gjyqtari Gjoko Ristov ndodhet në paraburgim shtëpiak, si dhe me masë shtesë për konfiskimin e pasaportës dhe ndalim për lëshimin e një të reje.