Tani gjatë kohës së pandemisë, personat e moshuar dhe ata që vuajnë nga sëmundjet kardiologjike, janë më shumë të interesuar për këshillat online nga psikoterapeutët e qendrës Cortex në Tetovë. Situatat e tilla kur të gjithë ballafaqohen me një armik të padukshëm, nëse nuk dimë t’i menaxhojmë shpesh çojnë edhe në atak paniku, sqaron psikoterapeutja Sema Halili.
“Personat që kërkojnë ndihmë janë nga grupmosha të ndryshme, problemet që hasim gjatë kësaj periudhe janë nga më të ndryshmet. Tek njerëzit është aktivizuar një gjendje alarmi dhe janë në rrezik nga një armik i padukshëm dhe i panjohur. Kjo i bën ende më shumë të frikësohen, sepse kur diçka është e panjohur frika rritet edhe më shumë dhe kalon në ankth e që shpesh shoqërohet me atak paniku, nëse nuk dimë për momentin si ta menaxhojmë”, tha Sema Halili, Psikoterapeute.
Ky ekip ofron falas këshillime psikologjike online për menaxhimin e situatës të shkaktuar nga Covid – 19, ndërsa funksionon tanimë e një muaj. E mbështetjen e tij e ka shtrirë në nivel shtetëror.
“Ne si qendër, në këtë periudhë japim ndihmë psikologjike jo vetëm në nivel komunal por edhe në nivel shtetëror, ku dy psikoterapeutë nga qendra jonë jemi të kyçur në platformën e organizuar nga Oda e Psikologëve të RMV-së, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Kryqin e Kuq, ku është formua një ekip prej 40 psikoterapeutëve të licencuar, me përvojë pune në këshillim dhe psikoterapi, të cilët japin ndihmë psikologjike në të gjithë Maqedoninë”, tha Sema Halili, Psikoterapeute.
Nga kjo qendër rekomandojnë që qytetarët t’i ikin ekspozimit të zgjatur ndaj sasisë së lajmeve që mund të gjenden në Internet, Radio dhe TV sepse, siç thonë, e njëjta mban sistemin e paralajmërimit dhe frikës vazhdimisht aktiv. Kjo sipas tyre nuk bën mirë sa i përket shëndetit mental dhe fizik, prandaj të njëjtit rekomandojnë për qytetarët burime zyrtare të informacionit.
