Po intensifikohen bisedimet për ndryshimet e Kodit zgjedhor për vendosjen e një njësie zgjedhore.
Në takimin që u mbajt në Kuvend mes kryetarit të Lidhjes demokratike, Pavle Trajanov dhe koordinatorit të VMRO-DPMNE, Nikolla Micevskit si dhe të partisë VMRO-Popullore, Lupço Ballkovski, është propozuar që reformat zgjedhore të zhvillohen në tre faza edhe atë për një njësi zgjedhore, për reklamat e partive gjatë kohës së zgjedhjeve, si dhe për ndryshimet kushtetuese për uljen e numrit të deputetëve nga 120 në 90. Micevski thotë se tani është mirë që të fillohet procedura për një njësi zgjedhore, gjë për të cilën paralajmëroi debat publik.
“Ky proces duhet të fillojë në drejtim të demokratizimit të shtetit. Shohim se po krijohet klimë për këtë gjë dhe procesi do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim. Gjithsesi me hapjen e temës, përkatësisht me vendosjen e Ligjit në Komision e më pas edhe në seancë plenare do të ketë mundësi që për të njëjtin të bisedohet, të përdoren edhe analiza nga e drejta krahasuese, ku do të japin mendime nëse dhe sa duhet të jetë pragu”, tha Micevski.
Blloku i partive shqiptare nuk pajtohet me një njësi zgjedhore, për çka BDI vlerëson se duhet të ketë 3 njësi zgjedhore, ndërsa Aleanca për Shqiptarët kërkon 8 njësi zgjedhore aq sa ka zona rajonale ekonomike. Pavle Trajanov thotë se shumica e deputetëve janë për një njësi zgjedhore.
“Deri më tani në ciklet zgjedhore në njësinë e 6 zgjedhore deputetët zgjidheshin me 6 mijë ose 500-700 vota, ndërsa në njësinë e tret me 9-10 mijë vota. Çdo deputet në Parlament duhet të ketë peshën dhe mbështetjen e njëjtë. Kështu që të gjithë këto gjëra të palogjikshme dhe të parregullta duhet të tejkalohen nëse Maqedonia ka një njësi zgjedhore. Paralajmëruam bisedime me BDI, me Ali Ahmetin dhe me përfaqësuesit tjerë të partive tjera nëse janë të gatshëm që të bisedojmë”, u shpreh Trajanov.
Nga LSDM thonë se VMRO-DPMNE është hipokrite në deklaratat e saja se mbështesin një njësi zgjedhore ndërsa vet thonë se e mbështesin propozimin.
“Ne jemi për një njësi zgjedhore dhe duhet të bisedojmë për të gjitha modalitetet e asaj njësie zgjedhore. Së pari, po e shihni se edhe sot ka qëndrime të ndryshme, disa flasin për një njësi zgjedhore me prag, disa të tjerë për një njësi pa prag, mund të hapet çështja se sa do të jetë ky prag, nëse 2 apo 2,5%, nëse nga votuesit e regjistruar, ose nga votuesit që kanë dalë, hapet çështja për komunitetet më të vogla etnike përkatësisht për vendet e garantuara të komuniteteve më të vogla etnike, andaj po them se ky është proces i ndërlikuar për të cilin duhet të sigurojmë konsensus”, deklaroi Mitrevski.
Në të njëjtën kohë në seancë parlamentare më 10 shkurt duhet të fillojë procedura për shfuqizimin e Qeverisë së Përzhinos. Partitë kryesisht pajtohen për këtë gjë, ndërsa edhe materialet për propozim-ndryshimet e Ligjit për Qeverinë tashmë janë përkthyer. Në lidhje me zvogëlimin e numrit të deputetëve nga 120 në 90, tani për tani kjo kërkesë është në fazë të shqyrtimit të mendimeve.
