Kërçovë, objekti në “Balla Malla” është pa leje

TË FUNDIT

Objekti në lagjen “Balla Malla” në Kërçovë është ndërtuar pa leje, në pronë publike dhe në vend të veçantë të shpallur si trashëgimi kulturore nga Ministria e Kulturës. Objekti është ndërtuar para disa javësh, ndërsa ditë më parë banorët e kësaj lagjeje u ngritën në këmbë duke kërkuar prishjen e shtesës dhe hapjen e rrugës, siç është paraparë. Thonë se objekti i ndërtuar pa leje ka bllokuar rrugën e lagjes dhe ka prishur autenticitetin e çarshisë së qytetit. Se objekti është pa leje dhe në pronë publike e ka konstatuar edhe inspektorati i Komunës së Kërçovës. Kryetari i komunës Fatmir Dehari thotë se po merren masa konkrete.

“Kemi marrë masat konkrete nëpërmjet inspektoratit komunal dhe që në ditën e parë që punohej aty inspektori ka dalë në terren dhe ka konstatuar që ndërtohet një objekt pa leje dhe fatkeqësisht edhe në pronë shtetërore. Megjithatë më lejoni të qartësojë se çarshia e vjetër si tërësi në vitin 2013 nga Ministria e Kulturës u shpall si zonë e veçantë e trashëgimisë kulturore. Dhe në këtë rast si kategori e parë e gjithë zona kalon në kompetencë të Ministrisë së Kulturës dhe organeve tjera shtetërore”, deklaroi Dehari.

Avokati Arian Imeri thotë se nëse kalon afati kohor për të marrë përgjigje lidhur me kërkesat e banorëve, atëherë do të informojnë të gjitha organet shtetërore pa anashkaluar edhe ambasadat e huaja.

“Objekti në fjalë gjendet në pronë të shtetit, vendi ku është ndërtuar objekti, është paraparë rrugë dhe trotuar, prona ku është ndërtuar objekti me asnjë ligj nuk lejohet të privatizohet e aq më pak objekti të marrë statusin e objektit me leje. Kërkesat tona me dëshmi të mjaftueshme janë lëshuar tek të gjithë institucionet kompetente në Komunën e Kërçovës, gjithashtu te inspektorati shtetëror për ndërtim ku është kërkuar të dalë në vendngjarje dhe ta konstatojnë gjendjen faktike dhe të marrë masa konform ligjit”, thotë Arian Imeri, avokat.

Po Dehari thotë se inspektori komunal nuk ka kompetencë për ndërhyrje, sepse vendi është në pronë publike. Megjithatë ai thotë se koordinohen me Inspektoratin e Ndërtimit dhe institucionet përkatëse për marrjen e masave sa më shpejtë të jetë e mundur.

“Meqë i bie kategorisë së parë dhe kompetenca drejtpërdrejt në rastin konkret kalon tek inspektorati shtetëror. Kemi të bëjmë më një moment që inspektori komunal nuk ka kompetencë për ndërhyrje. Por ne jemi në koordinim me Ministrinë e Transportit, Ministrinë e Kulturës dhe njëkohësisht dhe me inspektorët shtetëror për ta proceduar rastin”, shtoi Dehari.

Në vendin ku është ndërtuar objekti ka pasur një barakë e cila është prishur më 13 qershor dhe menjëherë pas prishjes për disa ditë është ngritur objekti në fjalë në vendin i cili ishte i paraparë për rrugë të lagjes “Balla Malla” në rrugën “Ohridska” e cila të çon drejt rrugës “Marshall Tito”.