Kërçovë, natyra ka pasuruar fshatin Svinjisht me ujë të gazuar – rruga e fshatit e shembur, vështirë kalohet tek kroi!

TË FUNDIT

Një fshat i vogël por me pasuri të madhe natyrore, ky është fshati Svinjishtë i Kërçovës i cili ka një burim të pa shterur me ujë të gazuar. Uji i gazuar rrjedh pa ndërprerë në dy çezma, dhe vjen nga burimi malor.
Të moshuarit e këtij fshati tregojnë plot histori për burimin e fshatit tek I cili vijnë banorë nga e gjithë Maqedonia për të mbushur ujë të gazuar.

eri sa TV21 po qëndronte në këtë fshat u panë shumë njerëz që vinin të furnizohen me ujë të gazuar.
Ata thonë se uji ka edhe veti shëruese për sëmundje të ndryshme, prandaj ka bërë që të vijnë nga 60 njerëz në ditë për të mbushur ujë.

“Vinë njerëz nga e gjithë Maqedonia, nuk vijnë vetëm se është i shijshëm për ta pirë por vijnë edhe për ilaç. Të gjithë ata që vijnë dhe kur kthehen tregojnë se kanë qenë të sëmurë afër operacionit në veshkë, kanë pasur termin të caktuar megjithatë kanë pirë një muaj para se të shkojnë në mjek kur kanë shkuar ju kanë thënë nuk keni as gurë në veshkë, nuk keni asgjë. Nuk është vetëm një rast, ka shumë që kanë ardhur dhe tregojnë se janë shëruar, jo vetëm për gur në veshka por edhe për lukthin, për gurë në tëmth, thartira të tepërta e kështu me radhë”, tha një banor.

Vijnë njerëz nga e gjithë Maqedonia madje edhe nga Maqedonia Lindore. Ata bëjnë kilometra për të arritur aty por sërish detyrohen shishet me ujë t’i mbajnë në krah sepse rruga para se të arrish të burimi është shembur ka disa vite dhe nuk është rregulluar. Edhe rruga e cila kalon mes fshatit është shumë e ngushtë dhe me gropa.

“Kjo situatë është qe 3, 4 vite dhe nga askush nuk kemi ndihma, kërkojmë nga kryetari por nuk është ndërmarrë asnjë aksion që të ndihmohet. Njerëzit vijnë siç e shihni edhe vetë mbi 50, 60 njerëz në ditë për ujë me vetura dhe kanë frikë të kalojnë, nuk mund të kalojë as ndihma e shpejtë, ja komshiu është i bllokuar nuk mundet me veturë të shkojë te shtëpia e tij”, shtoi banori.

Tanimë fshati është i njohur nga burimi i ujit të gazuar, por në vend se të gëzohen ata 40 banorë që jetojnë në këtë fshat të vogël të Kërçovës, thonë se rruga është bërë shkas që ata të jetojnë me frikë sepse as ndihma e shpejtë e as zjarrfikësit nuk mund të depërtojnë në këtë rrugë të shembur.

“Mos e bëftë Zoti tani ka koronë, ne jemi njerëz të vjetër nëse sëmuremi ndihma e shpejtë nuk mund të vijë dhe nëse ka zjarr, as Ndihma e shpejtë e as zjarrfikësit nuk mund të vijnë. (ngjitje) Kemi bërë kërkesë dhe thanë se është miratuar dhe se dikush e ka marrë tenderin, e dëgjuam atë por askush nuk ka ardhur”, shprehet banori.

Fshati ka edhe burime të tjera me ujë të pastër që vijnë nga mali dhe derdhen në lum.
Banorët e fshatit të indinjuar kërkojnë nga autoritetet që të ndërmarrin masa dhe ta rregullojnë rrugën e fshatit si dhe t’i realizojnë premtimet që ua kanë dhënë. Ata thonë se po të ishte kjo pasuri më ujë të gazuar në ndonjë shtet evropian, do ta kishin shtruar me tepih e jo më me asfalt.