“Keqardhje të ngecni në pengesën e fundit”, ofensivë e fortë diplomatike me mesazh për ndryshimet kushtetuese

TË FUNDIT

Shefi i diplomacisë austriake, Aleksander Shallenberg, erdhi me mesazhe të qarta se vonesa e ndryshimeve kushtetuese do të thotë edhe vonesë e rrugës drejt Bashkimit Europian. Tha se nuk ka ndërmend të ndërhyjë në punët e brendshme dhe në vendimet që do të marrë vendi, por bëri të qartë qartë se tani është momenti për përgjegjësi politike dhe mos votimi i ndryshimeve kushtetuese do të nënkuptonte izolim të vendit.

“Shtyrja e miratimit të amendamenteve do të thotë shtyrje e aderimit të Maqedonisë së Veriut. Do të ishte turp që Shkupi, meqenëse zhvilloi një maratonë të vështirë, të pengohej në pengesën e fundit. Nëse nuk i pranon ndryshimet kushtetuese dhe nuk vazhdon të ecë drejt rrugës europiane, Maqedonia e Veriut përballet me rrezikun e izolimit”, tha Alekasandar Shallenberg, MPJ i Austrisë.

Ministri çek Jan Lipavski tha se e kupton që miratimi i ndryshimeve kushtetuese është i vështirë, por pret që ato të tejkalohen me negociata.

“Ne e konsiderojmë Maqedoninë e Veriut tashmë si pjesë të familjes europiane dhe procesi thjesht duhet të përfundojë. Shpresoj se proceset politike do t’ju lejojnë të ecni përpara, e kuptoj që situata nuk është e lehtë dhe shpresoj se mund të tejkalohet me negociata dhe ju inkurajoj ta bëni këtë”, tha Jan Lipavski, MPJ Republika Çeke.

Ministri sllovak Miroslav Vlahovski tha se në takimet me palët do të mundohen të ndihmojnë në arritjen e konsensusit nacional për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

“Tani duhet të bëheni liderë, lokomotiva që e çon procesin përpara, të bëheni shembulli që duhet ndjekur dhe shpresoj që ky mision të përfundojë dhe kjo detyrë të përfundojë deri në vitin 2030. Dëshirojmë që të bëheni lider i Ballkanit në integrimin në BE si dy dekada më parë”, tha Miroslav Vlahoviq, MPJ i Slovakisë.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, vlerësoi se vizita e tre homologëve është domethënëse për vendin, por përgjegjësia politike nëse do të vazhdojmë në rrugën e BE-së mbetet tek ne.

“Na është dhënë çelësi për të zhbllokuar vetë kapitujt dhe klasterët dhe për të vazhduar me sukses procesin e negociatave. Në javët në vijim, deputetët do të përballen me zgjedhjen për të vazhduar plotësimin e Kushtetutës, që sigurisht përfaqëson detyrimin dhe përfitimin tonë civilizues, ose do ta mbyllim atë derë me arsyetime që askush nuk do t’i kujtojë më pas”, deklaroi Bujar Osmani, ministri i Punëve të Jashtme.

Ndryshimet kushtetuese këto ditë duhet të miratohen në seancën e qeverisë, e më pas do t’i kalojnë Kuvendit, ku fillon procesi i ndryshimeve kushtetuese.