Në mes të kaosit të trafikut, Tetova mbetet pa dy karrotrecë! Kasami fajëson mungesën e policëve, SPB thotë se kishte angazhuar 4 policë

TË FUNDIT

Në kohën kur trafiku në Tetovë është më i ngarkuar dhe të merr shumë kohë për të lëvizur nga njëra pjesë e qytetit në tjetrën, Komuna e Tetovës ka larguar dy automjetet karrotrecë.


Sipas kryetarit Bilall Kasami, shërbimi i merimangës nuk ka qenë funksional për shkak të mungesës së policëve rrugorë. Zgjidhjen e sheh duke lënë në funksion vetëm një merimangë të ndërmarrjes publike, deri në momentin kur bllokimi i veturave të parkuara gabimisht do të menaxhohet nga një operator privat që do të angazhohet nga komuna.

“Jo që nuk ka bashkëpunim me policinë, por realisht policia nuk ka kapacitet që në çdo pjesë të qytetit të ndërhyjë për largimin e veturave të parkuara pa leje. Këtë e dini që ne kemi tentuar, edhe ka ardhur në asistencë vetë Ministri i Punëve të Brendshme. Kemi kthyer në rrugë inspektorë, përkohësisht duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme që të ndërhyjnë, por është konstatuar që edhe ajo nuk ka qenë zgjidhje që ka zgjidhur problemin”, deklaroi Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.

Nga SPB Tetovë kundërpërgjigjen duke thënë se katër policë rrugorë kanë qenë të angazhuar në dy ndërrime për t’i shërbyer karrotrecëve. Të njëjtit kanë qenë jashtë këtij shërbimi vetëm gjatë kohës kur ka pasur delegacione në rajonin që mbulon ky sektor.

“Deri tani është praktikuar që të angazhohen katër policë, pra në dy ndërrime, për arsye se ka dy merimanga në dispozicion. Por ka raste kur ndonjëra nga merimangat është jashtë funksionit dhe nuk mund të funksionojë, kështu që kolegët angazhohen në detyrime të tjera deri në vënien në funksion të merimangave”, u shpreh Fatmir Rexhepi – zëdhënës i SPB-Tetovë.

Komuna e Tetovës deri më tani kishte marrë me qira dy automjete merimangë nga kompani private, ndërsa më parë të njëjtat i shfrytëzonte me përqindje. Sidoqoftë, sipas kreut të komunës, asnjëra nga këto variante nuk ka pasur efikasitet për të rregulluar kaosin e komunikacionit në qytet.