Sektori shëndetësor përballet me humbje të personelit mjekësor, posaçërisht të specialistëve të cilët shkojnë në sektorin privat apo largohen për punë jashtë vendit. Kështu vlerëson Komisioni evropian në Raportin e publikuar për përparimin e vendit. Në Raport vlerësohet se qasja e pacientëve te mjekët specialistë në shëndetësinë publike mbetet problematike.
“Edhe krahas sigurimit të rrogave të rritura me qëllim që të ruhen punonjësit, sektori shëndetësor po përballet me humbje të personelit mjekësor, posaçërisht të specialistëve të cilët po shpërngulen në sektorin privat apo largohen për punë jashtë vendit. Personeli vazhdon me nevojën për trajnim të specializuar për shfrytëzim të pajisjes së avancuar shëndetësore”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.
Nga Ministria e Shëndetësisë për TV21 thonë se i kanë rritur pagat për të gjithë punonjësit shëndetësor dhe kanë realizuar punësime të reja, pa treguar se çfarë do të ndërmarrin për të mbajtur kuadrin mjekësor në vend.
“Paga mesatare e mjekut specialist në dhjetor 2017 ishte 72.192 denarë bruto ndërsa në shkurt 2020 u rrit në 111.377 denarë – rritje prej 54%, përderisa paga për një doktor të mjekësisë në dhjetor 2017 ishte 45.952 denarë bruto ndërkaq në shkurt 20. 58.991 denarë, gjegjësisht rritje prej 29%”, thonë për TV21 nga Ministria e Shëndetësisë.
Ish ministri i Shëndetësisë Imer Selmani vlerëson se raporti i KE pasqyron situatën reale të vendit. Ky trend i largimit të personelit mjekësorë do të vazhdojë derisa Qeveria nuk kontribuon në një rritje të theksuar të pagave për këtë profesion, por edhe në kushtet e institucioneve shëndetësore.
“E para është të riorganizohen resurset njerëzore që vendi ynë i ka në dispozicion, domethënë të gjithë mjekët që janë të punësuar qoftë në sektorin shëndetësor, shtetëror qoftë në privat dhe e dyta të investohet edhe më tepër në një program të shpejtë, me efekte të shpejta dhe afatmesme në specializime deficitare në të cilat kemi mungesë dhe ne kontinuitet të investohet në rritjen e rrogave në të cilën në fund të fundit jemi në tregun e lirë dhe rrogat e punonjësve shëndetësore duhet të rriten”, potencoi ish-ministri i Shëndetësisë, Imer Selmani.
Lidhur me refundimin e mjeteve që paguhen për shërbime shëndetësore, nga KE-ja vlerësojnë se pacientët paguajnë përafërsisht një të tretën e të gjitha shërbimeve shëndetësore pa u refunduar, me çka rriten dallimet sociale. Në pjesën kushtuar sëmundjeve, Eurokomisioni konstaton se niveli i financimit për skrining të kancerit është i pamjaftueshëm, ndërsa të dhënat nga regjistrat nacional dhe rajonal për kancer nuk janë publikisht të kapshëm. Programi nacional për zbulim të hershëm të kancerit fillimisht duhet të implementohet, thonë nga Komisioni evropian.
