Njeriu i parë i KE-së, Ursula Fon der Lajen, u bëri thirrje për solidaritet të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, duke deklaruar se askush prej tyre nuk ka qenë i përgatitur në Evropë.
Kryetarja e Komisionit Evropian pranoi se në BE kanë qenë të papërgatitur për llojin e ri të epidemisë nga koronavirusi dhe se për këtë arsye nuk kanë mundur Italisë t’ia ofrojnë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme që i nevojitej në këtë moment.
Në fjalimin deri te parlamenti Evropian (PE) ajo u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së në solidaritet, duke theksuar se “askush nuk ishte i përgatitur”, kur epidemia sapo ishte paraqitur, transmetoi agjencia Anadollu.
“Askush nuk ishte kur ndihma për Italinë ishte më se e nevojshme. Për këtë thellësisht i kërkoj ndjesë në emër të gjithë Evropës”, tha Fon der Lajen, duke shtuar se tani është shumë me rëndësi të ndryshohet kjo qasje dhe sjellje.
Ajo shtoi se Evropa, pas gjithë kësaj, sërish është solidare dhe vepron bashkërisht, duke shtuar se ajo është krenare në atë që është evropiane.
“Evropa shpejt kuptoi se duhet t’i mbrojë të gjithë që në këtë mënyrë edhe ta mbrojë veten”, tha kryetarja e KE-së.
Fon der Lajen theksoi se pajisja e nevojshme mjekësore “transportohet në të gjitha drejtimet” në Evropë dhe se të gjitha vendet anëtare filluan mes vete të mbështeten.
Në fund ajo porositi se Evropa tani duhet t’i lërë të gjitha dallimet dhe ndarjet e veta pas vete dhe të veprojë e bashkuar./MIA
