Samiti global për vaksina fillon sot, ndërsa Komisioni Evropian paralajmëroi se do të ndajë 300 milionë euro për imunizim në vendet më të rrezikuara në botë, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Samiti organizohet nga Aleanca për vaksina (GAVI) partneriteti jofitimprurës me seli në Gjenevë.
Kryetarja Ursula fon der Lajen do të marrë pjesë në Samit në emër të Komisionit Evropian.
“Vaksinat shpëtojnë jetë vetëm nëse të gjithë në nevojë kanë qasje në to, veçanërisht në komunitetet dhe rajonet më të prekshme në botë. Kjo është arsyeja pse puna e Aleancës për vaksina është kaq e rëndësishme. Vendet në zhvillim janë duke u financuar për të ndërtuar sisteme të forta shëndetësore dhe programe imunizimi për ta bërë botën një vend më të sigurt. Jam e lumtur që Komisioni Evropian mund ta mbështesë GAVI-n në këtë punë të rëndësishme, kjo do të na ndihmojë ta tejkalojmë këtë pandemi dhe të shmangim një tjetër”, tha fon der Lajen para fillimit të Samitit.
Fondet që i ndan Komisioni Evropian duhet të ndihmojnë në vaksinimin e 300 milionë fëmijëve në të gjithë botën, por edhe forcimin e sistemeve shëndetësore në vendet në zhvillim. Paratë janë të dedikuara gjithashtu edhe për luftën kundër poliomielitin (paralizë e fëmijëve).
