Katër të arrestuar, mes tyre edhe një grua 55 vjeçe! Njëri i plagosur në gjendje të rëndë pas gjuajtjeve në Spitalin e Tetovës

TË FUNDIT

Katër persona janë arrestuar pas përplasjes me armë zjarri në Spitalin e Tetovës. Mes tyre edhe një grua 55 vjeçe.

“Në orën 23:10 në Tetovë, SPB-Tetovë ka privuar nga liria personat R.T. (35) dhe M.T.(44) nga Tetova, ndërsa më herët edhe 55-vjeçaren Sh. E. dhe personin N.M. (39) nga Tetova për shkak të dyshimit për përfshirje në të shtënat me armë zjarri më 11 janar para Qendrës Emergjente të Spitalit Klinik të Tetovës, e cila ka ndodhur rreth orës 18:05, ku plagë nga armë zjarri kanë pësuar dy persona A.M.(41) dhe Z.M.(36) nga fshati Gajre e Tetovës”, thonë nga SPB-Tetovë.

Dy të plagosurit, pas ndërhyrjes në spitalin e Tetovës, janë dërguar në klinikën e Shkupit.Përgjegjësi i urgjencës së Tetovës Boban Vuçevski mbrëmë tregoi se të plagosurit kanë qenë pacientë.

Njëri ka qenë në gjendje më kritike, është intervenuar nga ana jonë dhe me ekipin e reanimacionit dhe anestezionit është transferuar në Klinikat e Shkupit. Pacienti i dytë gjithashtu i plagosur, është në gjendje më stabile. Kirurgët tanë torakalë vendosën dren torakal, që të stabilizohet dhe gjithashtu është dërguar në Klinikat e Shkupit në “Nënë Tereza” “, tha Boban Vuçevski, mjek përgjegjës.

Nga qendra klinike universitare “Nënë Tereza” thonë se tek njëri është kryer ndërhyrje dhe se gjendja e tij shëndetësore është e vështirë, ndërsa i plagosuri tjetër është në gjendje të qëndrueshme.

“Njëri prej tyre i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në kraharor dhe abdomen dhe është në gjendje të përgjithshme të rënduar. Tjetri është në gjendje stabile. Të dy janë në KARILL”, thonë nga Qendra Klinike “Nënë Tereza” Shkup.

Gjuajtjes me armë i ka paraprirë një zënkë fizike në gjykatën e Tetovës, kur dy palët kanë janë përleshur fizikisht, ndërsa të njëjtit më pas janë takuar edhe në spitalin e Tetovës, ku të plagosurit kishin ardhur për të kërkuar ndihmë mjekësore.