Katër pilotë katapultohen me sukses pas përplasjes së dy avionëve në SHBA

TË FUNDIT

Katër anëtarë të ekuipazhit u hodhën me sukses me parashutë pasi dy avionë të Marinës Amerikane u përplasën të dielën gjatë një shfaqjeje ajrore në Idaho, tha një organizatore e eventit, përcjell TV21. Sipas AP, shërbimet emergjente reaguan menjëherë pasi dy avionët u përplasën gjatë shfaqjes në bazën ajrore Mountain Home në pjesën perëndimore të Idahos.

Të katër anëtarët e ekuipazhit u hodhën me parashutë në mënyrë të sigurt, tha Kim Sykes, drejtoreshë marketingu e “Silver Wings of Idaho”, që ndihmoi në organizimin e shfaqjes ajrore. Sykes tha se përplasja ndodhi jashtë bazës dhe ajo nuk e pa vetë ngjarjen, por pa vetëm tymin më pas.

Baza njoftoi në rrjetet sociale se u vendos në izolim pas incidentit gjatë “Gunfighter Skies Air Show”. Ekipet e emergjencës janë në vendngjarje dhe ka nisur një hetim.

Dëshmitarë të shumtë raportuan se dy avionët u përplasën dhe u rrëzuan, ndërsa video të publikuara online tregojnë katër parashuta që hapen në ajër ndërsa avionët bien pranë bazës rreth 50 milje (80 km) në jug të Boise.

Nuk ka ende informacione të tjera zyrtare, tha një person nga zyra e marrëdhënieve me publikun e 366th Fighter Wing.

Organizatorët thanë se shfaqja e njohur ajrore përfshin demonstrime fluturimi dhe kërcime me parashutë, si një festim i historisë së aviacionit dhe aftësive moderne ushtarake amerikane. Ekipi “Thunderbirds” i Forcave Ajrore të SHBA ishte pjesë kryesore e programit.

Shërbimi Meteorologjik Kombëtar raportoi dukshmëri të mirë dhe erëra deri në 29 mph (47 km/h) në momentin e aksidentit.