Kasami kritikon Qeverinë për raportin e KE-së! Thotë se nevojiten sa më shpejt zgjedhje të parakohshme parlamentare

TË FUNDIT

Raporti i Komisionit Evropian flet për jo seriozitetin e Qeverisë, madje ka rezultate edhe më të dobëta se vlerësimi paraprak. Kështu u shpreh kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, i cili kritikoi interpretimin e Qeverisë se vendi ka shënuar përparim në gjashtë sferat e vlerësimit.

“Lëvizja Besa edhe një herë konstaton se fjala është për një raport që flet për joseriozitetin e Qeverisë dhe sugjerimeve të komisionit evropian, mungesën e vullnetit dhe kapacitetit të mjaftueshëm politik të qeverisë të luftojë dekadencën që pengon negociatat për anëtarësim të plotë të vendit në BE.”, pohoi Bilall kasami – kryetar i Lëvizjes Besa.

Kasami shtoi se kjo Qeveri është e dështuar dhe se sa më shpjet nevojiten zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Sigurisht pra ne kemi thënë shumë qartë se për Lëvizjen Besa kjo qeveri është e dështuar dhe duhet sa më shpejt të kemi zgjedhje të parakohshme që vullneti i qytetarëve të vijë në shprehje, veçanërisht në kampin politik shqiptar”, tha Bilall kasami – kryetar i Lëvizjes Besa.

I pyetur nëse do të bashkëpunonin me Aleancën për Shqiptarët nëse kjo parti bëhet pjesë e Qeverisë ose nëse partia Alternativa bëhet pjesë e opozitës, kreu i Lëvizjes Besa theksoi se synojnë bashkëpunim me secilin subjekt politik që është në opozitë.

“Çdo parti, subjekt politik deri sa është në Qeveri, nuk mund të pretendojmë se mund të kemi ndonjë bashkëpunim opozitar, ne jemi të gatshëm për bashkëpunim me të gjitha forcat opozitare të cilat kanë një qëllim, që përfundimisht të ketë rotacion politik edhe në kampin politik shqiptar”, deklaroi Bilall kasami – kryetar i Lëvizjes Besa.

Kasami tha se ka kontakte të vazhdueshme me u.d. kryetarin e Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari dhe se shpreson për bashkëpunim opozitar me këtë parti.