Paditë penale dhe kundërvajtëse ndaj tij vijnë për shkak se BDI dhe Ali Ahmeti kanë frikë nga Lëvizja Besa. Kështu mendon kryetari i kësaj partie Bilall Kasami.
“Aliu është i frikësuar dhe Aliu e sheh edhe në ëndërr lëvizjen Besa dhe opozitën. Si rezultat i kësaj kur çohet në zhgjëndërr nuk i di veprimet që i bën. Albin Kurtin dhe opozitën në Maqedoni e pritën shqiptarët dhe ajo pritje ishte madhështore dhe atë nuk e mbulojnë as paditë penale dhe kundërvajtëse ndaj meje dhe kryetarëve të komunave të tjera dhe ndaj askujt.”- deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i Komunës së Tetovës .
Kasami nuk e di konkretisht se për çfarë padie bëhet fjalë por, pohon se ka padi penale dhe kundërvajtëse.
“Janë procese që vazhdojnë akoma. Nuk më tregojnë se ku duhet të paraqitem dhe të shohë se për çfarë behët fjalë, jam i thirrur edhe për padi penale dhe për padi kundërvajtëse dhe akoma nuk jam paraqitur që të di nëse janë për rastin e njëjtë të njëjtat.”- tha Bilall Kasami, Kryetar i Komunës së Tetovës.
Pyetëm në gjykatë për lëndën që janë duke u udhëhequr kundër kryetarit të komunës Bilall Kasami. Nga gjykata na konfirmuan se deri më tani kundër Kasamit ka një lëndë kundërvajtëse, ndërsa jozyrtarisht mësohet se Kasami në gjykatë do të duhet të paraqitet me 19 shtator.
“Në bazë të kërkesës tuaj që keni bërë ju njoftojmë se kundër kryetarit të komunës së Tetovës Bilall Kasami ka lëndë kundërvajtëse.”- thanë nga Gjykata Themelore e Tetovës.
Kasami javë më parë publikoi në rrjetet sociale se është ftuar në gjykatë për pritjen e Kurtit në Tetovë, por i njëjti tha se nuk do të paraqitet.
