Banorët e komunës Shuto Orizare shfaqën interesim për vaksinim kundër Covid-19. Ata dolën në qendër të komunës ku ishte vendosur një tendë e ku realizohej vaksinimi mobil me vaksinat fajzer. Kishte pyetje të shumta rreth imunizimit, e një i moshuar tha se ka frikë nga vaksina.
“A keni marrë ndonjë vaksinë? Kam marrë dy vaksina, por për të tretën nuk e di. Pyesni që ta merrni dhe të tretën. Nuk e di, nuk jam i sigurt për të tretën, kam frikë. Po për të parën a frikësoheshit? Po në fillim u frikësova, për të dytën dozë jo, tani te e treta paksa… “
“Unë jam e imunizuar me dy vaksina vetëm dua të informohem a ka nevojë edhe për një dozë ose jo“
“A jeni për dozë të parë, të dytë ose të tretë? Kam marr dy doza unë tani të tretën. Po mundeni për dozë të tretë. E nëse marr vaksinë fitoj këtë. Po. Kështu shkon domethënë a.”
Shumica e personave që shfaqën interesim ishin tashmë të vaksinuar me dy doza dhe donin të merrnin edhe dozën përforcuese. Një banor u ankua se ka tollovi dhe se po pret gjatë radhën. Vaksinimi mobil nisi pikërisht në këtë komunë, për shkak se përqindja e vaksinimit është e ulët tha Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, duke shtuar se situata në vend është e qetë.
“Situata epidemiologjike sipas të dhënave që kemi është e qetë, por ende nuk kemi arritur në një nivel shumë të ulët të numrit të të infektuarve, gjatë javës së fundit e dini se marrim shifra nga 200 deri 300 të infektuar të ri, që për fat të keq nuk na kënaq kjo si situatë”, tha Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
Kryetari i komunës së Shuto Orizares thotë se nuk e di sa është përfshirja e vaksinimit në komunën përkatëse, ndërsa në pyetjen se a mund të vaksinohen edhe personat fantom, tha se po.
“Mendoj se kishte aksion që edhe ata që nuk kanë dokumente të mund të vaksinohen, me emër dhe mbiemër”, pohoi Kurto Dodush, kryetar i Shuto Orizarës.
Ambasadorja e SHBA-ve apeloi te qytetarët që të vaksinohen.
“Unë jam vaksinuar kundër Covid-19, sepse vaksinat janë të sigurta dhe efektive, dëshmitë janë të qarta. Por siç tha ministri, pandemia nuk ka mbaruar dhe ne duhet të vazhdojmë me apele”, tha Kejt Meri Bërns, ambasadore e SHBA-së.
Vaksinimi mobil ka për qëllim që të nxit imunizimin e popullsisë i cili në vendin tonë ka ngecur. Do të zgjasë deri me 3 prill, ndërkaq do të përfshihen lokacionet si Shuto Orizare, Kratovë, Radovish, Strumicë, Novosellë, Shkup (përballë Ist Gejt Moll), Kumanovë, fshati Mateç në Likovë, Haraçinë, fshati Sandevë në Çucer Sandevë, Zelenikovë, fshati Negotinë në Vrapçisht, Kërçovë dhe Strugë.
Karvani organizohet nga Ministria e Shëndetësisë me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), USAID-it dhe UNICEF-it.
