Barcelona ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit gjerman Karim Adeyemi nga Borussia Dortmundi, duke e bërë atë përforcimin e dytë të klubit gjatë afatit kalimtar veror.
Kampioni i Spanjës do të paguajë fillimisht 22 milionë euro për 24-vjeçarin, ndërsa marrëveshja parashikon edhe shtatë milionë euro të tjera në formë bonusesh. Borussia Dortmundi gjithashtu do të përfitojë një përqindje nga fitimi që Barcelona mund të realizojë në rast të një shitjeje të ardhshme të lojtarit.
Adeyemi i jep fund një aventure katërvjeçare te Dortmundi, ku u transferua në vitin 2022 nga RB Salzburg. Gjatë kësaj periudhe ai zhvilloi 146 ndeshje dhe realizoi 36 gola me klubin gjerman.
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ishte një nga mbështetësit kryesorë të këtij transferimi, pasi e njeh mirë Adeyemin që nga koha kur drejtonte Kombëtaren e Gjermanisë dhe i dha debutimin me ekipin kombëtar. Sulmuesi shquhet për fleksibilitetin e tij, pasi mund të aktivizohet në të tri pozitat e repartit ofensiv.
Pas afrimit të Anthony Gordon nga Newcastle United për 70 milionë euro dhe tani të Karim Adeyemit, Barcelona vazhdon të forcojë repartin ofensiv. Megjithatë, sipas burimeve të ESPN, drejtuesit katalanas mbeten në kërkim edhe të një sulmuesi qendror klasik, pavarësisht se në skuadër kanë emra si Lamine Yamal, Raphinha dhe Ferran Torres.
