Kapen nëntë emigrantë në Bogorodicë, arrestohen dy persona

TË FUNDIT

Policia në Maqedoninë e Veriut ka ndaluar një 39-vjeçar nga Shkupi dhe një 17-vjeçar nga Egjipti, në lidhje me një rast të dyshuar të kontrabandimit të emigrantëve në rajonin e Gjevgjelisë.

Sipas njoftimit të policisë, më 11 tetor, rreth orës 16:50, në afërsi të fshatit Bogorodicë, gjatë kontrollit të një veture „Shkoda“ me targa të Shkupit, të cilën e drejtonte 39-vjeçari, u gjetën shtatë emigrantë: pesë nga Afganistani dhe dy nga Egjipti.

Rreth orës 18:30, policia siguroi edhe dy emigrantë të tjerë nga Egjipti, të cilët dyshohet se ishin pjesë e të njëjtit grup, por nuk kishin hipur në veturë në vendin e quajtur Kravarski Pat.

Me këtë rast, numri i emigrantëve të identifikuar arriti në nëntë.

Më 12 tetor, në orën 00:05, u ndalua edhe një 17-vjeçar nga Egjipti, me qëndrim të përkohshëm në Greqi, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale të paraparë me nenin 418-B të Kodit Penal.

Nëntë emigrantët u dërguan në Qendrën e Pranimit dhe Tranzitit në Gjevgjeli, ndërsa 39-vjeçari dhe i mituri u mbajtën në stacion policor.

Pas dokumentimit të plotë të rastit, autoritetet do të ndërmarrin procedurat përkatëse ligjore.