Instituti INSI nga Kosova ka studiuar kaosin në trafikun e Tetovës, më saktësisht pikat kritike në qytet. Për këtë po përgatit një studim mobiliteti, ndërsa ky institut njëkohësisht është duke përgatitur edhe planin e përgjithshëm urbanistik. Sipas tyre, studimi i mobilitetit ka për qëllim që ta zbutë komunikacionin.
“Analiza e gjendjes është tregues që ka mbingarkesë qoftë në udhëkryqe, qoftë në parkingje apo parkingje zonale parkingje garazh. Moszbatimi i planit gjeneral e tjera që janë identifikuar dhe në një të ardhme të afërt do të merren disa orientime që pas aprovimit të dokumentit, do të jenë të karakterit obligativ për Tetovën”, tha Ismet Baqari – drejtor i Instituti Insi – Prishtinë.
Kryetrari i Tetovës Bilall Kasami thotë se me këtë plan mobiliteti do të marrin hapa konkret për zgjidhjet e mëtutjeshme.
“Ajo që është me rëndësi është se jemi në fazën e parë, ku sot u prezantuan gjetjen që kanë dalë nga gjithë kjo analizë fillestare me të cilët ne në fakt jetojmë, por kjo është me numra dhe statistika që kanë dalë nga analiza e deri tanishme bazuar në metodologjinë shkencore apo softuerët më modernë që ekzistojnë”, deklaroi Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.
Kjo nuk është hera e parë që kryetari i komunë së Tetovës mundohet të gjejë zgjidhje për komunikacion e rënduar të qytetit. Në janar 2022 ai premtoi parkim për çdo veturë me një plan që nuk u realizua. Më pas pagoi një studim për të privatizuar parkimin zonal, por as ky plan nuk hyri në funksion. Disa muaj më parë bashkë me Ministrin e Punëve te Brendshme prezantuan projektin “qytet i sigurt” që nuk dha thuajse asnjë rezultat.