Kanë arritur 5000 aparate për matjen e sheqerit! Mexhiti: Përderisa të jem ministër, nuk do të ketë vonesa për ilaçe

TË FUNDIT

Nuk do të ketë vonesa në tenderimin apo prokurimin e barnave, siguron ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, duke shprehur keqardhje për vonesën e tenderit për blerjen e gleukometrave dhe shiritave për diabetikët. Theksoi se së bashku me Shoqatën e Diabetikëve muajt e fundit janë munduar që tenderi të shpallet sa më shpejt.

“Por e dini, që nga momenti i shpalljes së tenderit, kompania që bart gleukometrat dhe shiritat ka një afat prej tre deri në gjashtë muaj, që në këtë rast nuk ishte praktikë. Ne kërkuam përfaqësuesit e kompanisë, ata erdhën tek unë në dy raste që t’i marrim këto gleukometra dhe shirita sa më shpejt që të jetë e mundur që diabetikët normalisht të marrin atë që është e drejtë e tyre e shenjtë, e cila u garantohet me ligj”, theksoi Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Për paketimin e gleukometrave, Mexhiti tha se ka kërkuar nga kompania që të ketë udhëzime në ambalazh, e jo t’i sjellin në atë formë.

“Bëmë përpjekje dhe kërkuam nga kompania që t’i vendosë në një kuti dhe të ketë udhëzime, në të ardhmen nuk duhet të barten kështu. Natyrisht që diabetikët kanë të drejtë në këtë rast, por ligjet janë ato në vend për prokurimet publike dhe ne duhet t’i respektojmë. Unë si ministër dhe Ministria e Shëndetësisë ju garantojmë që janë cilësore, efektive dhe të mira”, tha Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Ministri njoftoi se tashmë kanë arritur 5.000 aparate për matjen e sheqerit në gjak dhe se gjatë muajit në vijim do të arrijnë edhe 17.000 të tjerë.