“Kanalizimi në Straçincë gati deri në Bajram”/Realizuesi premton, Nuredini këshillon të mos nguten, por ta bëjnë mirë

TË FUNDIT

Ky është fshati Straçincë në verilindje të Shkupit. Pas 40 vitesh probleme, nisi të vendoset kanalizimi fekal. Kështu duket projekti prej 6 kilometrash.  Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, doli të vëzhgojë dinamikën e fazës së dytë të projektit, ndërsa uroi që punimet të shkojnë mbarë.

Më pas Nuredini e thirri realizuesin për ta pyetur për ecurinë e punimeve.

-Ku është realizuesi?

-Këtu është.

-Eja thuaj diçka Fadil?

-Nuk kam çfarë të tregoj më.

-Qofshim shëndosh e mirë do ta kryejmë.

-Për sa do të bëhet?

-Për tre muaj.

-Është në tre faza kjo.

-Unë po flas për komplet procedurën.

-Do me thënë për tre muaj?

-Le të dëgjojnë të gjithë deri në Bajram do të kryhet.

 Sektori privat po premton ta dini, nuk premtojnë politikanët. Ne mendojmë të bëhet në afat dhe si duhet, jo për tre muaj. Afati është për gjashtë muaj, por ne do ta përfundojmë për tre muaj. Skeptik z. Nuredini? Jo, nuk jam skeptik, jam realist gjithmonë, nuk kemi nevojë të shpejtojmë, duhet të rregullohet si duhet”, tha Naser Nuredini, i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Për përfundimin e punimeve, më skeptik se ministri Nuredini, ishin banorët e fshatit Straçincë.

-Me vjet kemi këtë problem, afër 40 vjet. Aty nuk e dimë, ka punë këtu shumë, nuk është për dy-tre muaj, ose katër-muaj-pesë, ka afat më të gjatë.

-Edhe nëse zgjat për shembull tre muaj ose gjashtë ne kemi pritur 40 vjet, tani jemi të kënaqur që kjo punë po realizohet, ëndrra jonë po realizohet, por uji është problem. Domethënë më duket se i kanë ndërruar projektet e punës, një herë është dashur ujësjellësi e pastaj kanalizimi, te ne ka nisur e kundërta.

Nuredini tha se nuk dëshiron që të jepen afate për shkak të kushteve klimatike, ndërkaq ftoi komunat që të bashkëpunojnë me pushtetin qendror për projekte të këtilla.

“Për fat të keq është e rëndë që të flasim në shekullin 21 për kanalizime dhe ujësjellës në vendbanimet tona, por çka është e rëndësishme se ne kemi krijuar kushte financiare që komunat të bëjnë kërkesë për përkrahje financiare dhe të vazhdojmë të investojmë”, pohoi Naser Nuredini, minitër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

I pranishëm në terren ishte edhe kryetari i Komunës së Gazi Babës Boban Stefkovski.

“Vlera e projektit është 30 milionë denarë, fazën e parë e ka mbështetur Komuna e Gazi Babës përderisa për fazën e dytë mjetet i ka ndarë Ministria e Mjedisit Jetësor. Më gëzon fakti që Gazi Baba nga dita në ditë po ndërtohet dhe po ndryshon dhe në periudhën në vijim do të vazhdojmë me realizim të shumë projekteve të këtilla”, theksoi Boban Stefkovski, kryetari i Gazi Babës.

Ky fshat përveç mungesës së kanalizimit ballafaqohet edhe me mungesë të ujësjellësit.

Banorët u ankuan se gjatë verës ndodh që të mos kenë ujë deri në tre ditë.