Kamberi: Gjuha shqipe jashtë institucioneve në Serbi! “Mosintegrim i barabartë dhe proporcional me institucionet e shtetit”

TË FUNDIT

Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit janë të diskriminuar sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe dhe të simboleve kombëtare, tha Shaip Kamberi, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë. Mirëpo sipas Kamberit çështja më serioze është se, shqiptarët nuk janë të integruar dhe nuk ecin në mënyrë proporcionale me institucionet e Serbisë.

“Kemi dy nivele të diskriminimit. Njëra është me ligj, siç e përmenda te flamuri që është i ndaluar dhe Serbia është i vetmi vend që ndalon me ligj përdorimin e simboleve kombëtare. Në Maqedoninë e Veriut e rregulluar, në Mal të Zi është rregulluar në Kosovë kjo temë kurrë nuk ka qenë problematike, në Kroaci po ashtu e rregulluar. Serbia mbetet i vetmi vend që me ligj e pengon. Dhe kemi aspektin tjetër, ku ligji është pozitiv në raport afirmativ me pakicat, kemi pengesa që shtrohen që nuk lejojnë realizimin e të drejtës. Në shumë segmente që thash se shqiptarët janë të diskriminuar e para dhe më e rëndësishmja është, çështja e mosintegrimit të barabartë dhe proporcional me institucionet e shtetit”, tha Shaip Kamberi.

Shqetësim tjetër për të cilin shqiptarët e Luginës së Preshevës së fundmi kanë protestuar është pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, që e cilësojnë si diskriminimi që po ushtrohet ndaj tyre nga autoritetet e Serbisë. Sipas deputetit Kamberi politika ka bërë mjaftë aksione në këtë drejtim por nuk ka rezultate.

“Si rezultat i atyre aksioneve, shkresave që kemi bërë, raporteve që kemi bërë, ne kemi edhe përmendjen e këtij problem në raportin e departamentit të shtetit dhe në një rezulutë të Parlamentit europian dhe në raportin e progresit për ecurinë e Serbisë në drejtim të BE-së. Në aspekt politik kjo është përmendur, problem është se akoma nuk ka ndonjë reagim serioz nga këtu institucione ndaj Serbisë për ta ndërprerë këtë praktikë”, tha Kamberi.

Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2022, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe kombëtare në Serbi, me më shumë se 61.000 qytetarë