Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, sot deklaroi se BE-ja do të punojë në paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë dhe bëri thirrje të mos bëhen më lëshime ndaj Moskës, njoftuan mediumet britanike.
Në publikimin në platformën “X”, Kallas informoi se shefat e diplomacive të Bashkimit Evropian sot kanë shprehur përkrahje për hapat e SHBA-së, që do të sjellin paqe të drejtë në Ukrainë.
“Duke marrë parasysh se në këtë fazë Rusia nuk u pajtua për një armëpushim të plotë dhe pa kushte, ne as nuk duhet të diskutojmë për kurrfarë lëshimesh”, tha Kallas.
“Vijimi i hapave është shumë i rëndësishëm. Së pari – armëpushim pa kushte me një sistem të përforcuar për ndjekje dhe garanci të forta sigurie”, theksoi ajo, duke shtuar se BE do të punojë për paketën e 19-të të sanksioneve.
Më 18 korrik, 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian arritën marrëveshje për paketën e tetëmbëdhjetë të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë, pasi paketa ishte bllokuar për javë të tëra nga Sllovakia.
