Ka përfunduar afati i paraqitjes së kandidaturave për kryetar të komunave dhe listave për këshilltarë deri tek Komisioni Shtetëror i zgjedhjeve.
Në shumicën prej komunave pritet të ketë garë të ashpër mes pushtetit dhe opozitës.
Për qytetin e Shkupit, janë gjashtë kandidatë dhe atë kryetari aktual i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, i cili rikandidohet nga LSDM, Danella Arsovska e mbështetur nga VMRO-DPMNE dhe ASH-AAA, Ana Petroska nga koalicioni i aktivistëve “Qyteti human i gjelbër”. Artisti Petar Georgievski Kamikaza, kandidon si i pavarur por mbështetet nga partia “E Majta”, Advokati Aleksandar Tortevski kandidat i partisë “E jotja” dhe ish deputeti i PRSD-së Lubomir Josifovski i cili garon si i pavarur.
Për të marrë besimin e çairasve do të garojnë disa kandidatë. Për një mandat tjetër, të dytin me radhë më 17 tetor do të garojë kryetari aktual i Çairit, nga BDI-ja, Visar Ganiu. Forcat me të do t’i masë edhe opozita shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa me kandidatin Bekim Sali. Kundër tyre do të dalë edhe Kastriot Rexhepi nga Lëvizja Besa.
Ndërsa për Tetovën, do të rigarojë Teuta Arifi nga BDI, Vullnet Murseli nga Aleanca për Shqiptarët, Bilall Kasami si kandidat i Lëvizjes BESA, si dhe Hamdia Elezoviç LSDM.
Në Gostivar janë zyrtarizuar kandidaturat e Arben Taravarit nga ASH, e Nevzat Bejtës si kandidat i BDI-së dhe e Fadil Zendelit si kandidat i Lëvizjes BESA.
E ashpër pritet të jetë gara edhe në Kumanovë, LSDM do të garojë me Oliver Ilievski, ndërsa VMRO-DPMNE me Toni Mihajllovskin. Ndërsa kryetari aktual Maksim Dimitrievski nuk do të ketë mbështetjen e LSDM-së si katër vite më parë dhe kandidohet si i pavarur.
Interesante do të jetë edhe gara në Kërçovë ku është zyrtarizuar kandidatura e kryetarit aktual Fatmir Dehari i cili mbështetet nga BDI, si kandidati i pavarur do të dalë Fatmir Limani, ndërsa nga partitë maqedonase do të garojë vetëm VMRO-DPNE me Aleksandar Jovanovskin. Nga Opozita Shqiptare, Alternativa deklaroi se kandidati i tyre Mazllam Osmani do të tërhiqet, me qëllim të mos përçarjes së votës shqiptare.
Në Strugë, do të garojë Ramiz Merko nga BDI, Idri Istrefi nga ASH-ja. LSDM do të garojë me Dimçe Shipinkarovski. VMRO-DPMNE nuk do të ketë kandidat për Strugën.
Përndryshe Fushata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, do të fillojë më 27 shtator, ndërsa do të përfundojë më 15 tetor.
