“Ka para për përditësimin e listës pozitive të ilaçeve” – Taravari: Do të promovohet pasi të zgjidhet bordi drejtues i fondit shëndetësor

TË FUNDIT

Lista pozitive e ilaçeve do të promovohet pasi të zgjidhet bordi drejtues i Fondit Shëndetësor, thotë ministri i shëndetësisë Arben Taravari, teksa shton se kjo listë për të cilën ka mjaftueshëm para do të përditësohet pas 25 viteve.

“Ka para, nuk ka asnjë problem, presim që të zgjidhet Bordi i ri Drejtues, d.m.th. Bordi ende nuk është kompletuar. Përndryshe nga ana jonë është dërguar para 2 javësh, me pajtim të Fondit. Në seancën e parë të Bordit Drejtues të Fondit, listën pozitive do ta promovojmë bashkë me drejtorin e Fondit për Shëndetësi. Nuk janë kontestuese 9 ilaçet që janë vendosur për 9 diagnoza të reja? Absolutisht jo, janë pranuar nuk ka implikacion të madh financiar”, tha Arben Taravari, ministër i Shëndtësisë.

Ndërsa për personelin mjekësor që punojnë me shkollë të mesme dhe pa vendime pune, Taravari thekson se në kuadër të buxhetit aktual deri në fund të vitit do të gjejnë zgjidhje që ata të jenë të punësuar si të rregullt.

“Angazhimi im i ardhshëm do të jetë që të shohim këta që një kohë të gjatë, posaçërisht personeli mjekësorë me shkollë të mesme, që një kohë të gjatë punojnë dhe nuk kanë vendim për punë, të gjejmë edhe për ata zgjidhje, deri në fund të vitit edhe ata të jenë të punësuar të rregullt. D.m.th. do të pritet buxheti i ri? Nuk do të pritet buxheti i ri, do të përpiqemi që në këtë buxhet ta menaxhojmë, megjithatë më duhet kohë që të sinkronizohem me ministrat e tjerë”, deklaroi Taravari.

Ndryshe ministri Taravari tregoi se prioritet i tij është edhe gjetja e zgjidhjes për punësimin e specializantëve, i cili thotë se prej 647 këtë vit do të punësohet 300 praktikantë, ndërsa 300 të tjerë do të mbeten për vitin e ardhshëm. Këto Taravari i tha në Klinikën për sëmundjet e fëmijëve ku u promovuan pajisjet e reja dhe rinovimi i klinikës neurologjike.