Në Ohër po vazhdon vizita dyditore e delegacionit bullgar në Maqedoni, që e udhëheq zëvendësja e presidentit të Bullgarisë, Iliana Jotova. Ajo tha se pas bisedave me bullgarët në Maqedoni, u bë e qartë se ka shumë probleme të pazgjidhura, por se vizita u jep shpresë për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Ajo e konteston edhe regjistrimin e popullsisë, duke thënë se bullgarëve u është kërkuar provë për t’u deklaruare si bullgarë gjatë regjistrimit.
“Bullgaria të qëndrojë prapa bullgarëve për të pasur punë, të mos diskriminohen. Kur të kërkojnë punë, të mos i refuzojnë për shkak se janë bullgarë. Kur të marrin pjesë në konkurse për një vend pune, të mos i refuzojnë vetëm për shkak të prejardhjes së tyre bullgare. Mësuam shumë gjëra për regjistrimin. Unë për herë të parë mësoj se, turp i madh, se numri i vogël i bullgarëve në regjistrimin është për shkak se në disa vende kur janë deklaruar si bullgarë, autoritetet u kanë kërkuar dokumente se janë bullgarë, gjë që nuk duhet të kërkohet. Komuniteteve të tjera në RMV-në nuk u kërkojnë dokumente të tilla”, tha Iliana Jotova, zëvendëse e presidentit të Bullgarisë.
Sipas Jotovës, nuk mund t’i thuhet “PO” Maqedonisë për vazhdimin e rrugës drejt BE-së derisa nuk gjendet zgjidhje për këto probleme. Kërkojnë garanci me shkrim se bullgarëve do t’u garantohen të drejtat e tyre dhe se do të jenë pjesë e Kushtetutës. Por a mjafton kjo për dritë jeshile?
“Jo vetëm kjo. Nëse e dini mirë marrëveshjen për marrëdhënie të mira mes dy shteteve do të shihni se asnjë nga pikat nuk është e realizuar në praktikë tashmë 5 vjet. Ne i treguam kushtet për disa pikat brenda librave mësimore si dhe për përpilimin e metodologjisë. Komisioni historik mes dy vendeve duhet të arrijë dakordim që kjo të futet në librat mësimore. Së dyti, ne duam që të hapen arkivat dhe të ndalet përndjekja e personave vetëm se janë bullgarë. Së treti, gjë që sipas meje është shumë e rëndësishme, dëmtimi i përmendoreve në RMV. Unë nuk mund të kuptoj se si në shekullin e 21 pa marrë parasysh procesin drejt BE-së, si mund të rrëzohen pllakat e varrezave, të dëmtohen përmendore të personave që e kanë dhënë jetën e tyre, por janë nga shteti tjetër”, pohoi Iliana Jotova, zëvendëse e presidentit të Bullgarisë.
Në pyetjen e gazetarëve, pse Bullgaria si anëtare e BE-së nuk i njeh maqedonasit në Bullgari, Jotova porositi gazetarët ta lexojnë Kushtetutën e shtetit, duke shtuar se atje nuk ka minoritete dhe bëhet fjalë për vetëpërcaktim e jo përcaktim në mënyrë kolektive. Mediat në Sofje me të madhe shkruajnë se gjatë vizitës së djeshme në Manastir dhe mirëpritjes së kryeministrit të Bullgarisë, Kirill Petkov ka pasur pankarta. Përndryshe delegacioni bullgar sot e vizitoi Qendrën ditore për fëmijë me autizëm, e financuar nga qeveria bullgare përmes projektit “Bullgaria, ndihmë për zhvillim” dhe u hap zyra e Shoqatës për tolerancë dhe bashkëpunim “Horizonte” ndërsa vendosën lule te përmendorja e aksidentit tragjik që ndodhi në ujërat e Liqenit të Ohrit ku jetën e humbën 15 turistë bullgarë. Jovica Paunovski, TV21, Ohër.
